Vetëm një vit pas prezantimit, Tesla Model Y i ri, në versionin e zgjatur, po përballet me një valë ankesash nga pronarët, raporton Carnewschina.
Pjesa e pasme e automjetit elektrik me gjashtë ulëse ulet aq shumë sa rrotat pothuajse prekin karrocerinë, duke shkaktuar probleme me mbajtjen e rrugës dhe dëmtimin e gomave.
Bëhet fjalë për Tesla Model Y L, versionin e zgjatur me gjashtë ulëse të modelit bestseller, i cili prodhohet në Shangai dhe u prezantua në gusht të vitit të kaluar.

Pritet që ky model së shpejti të debutojë edhe në Evropë. Tani, modeli ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale kineze, ku pronarët e zemëruar raportojnë se pezullimi i pasmë ulet ndjeshëm kur automjeti ngarkohet.
Distanca mes gomës dhe harkut të rrotës zvogëlohet në mënyrë drastike kur automjeti përdoret për udhëtime të gjata ose kur është plotësisht i ngarkuar. Në rastet më ekstreme, distanca bëhet aq e vogël sa pronarët jo vetëm që kanë probleme me pjesën e poshtme të automjetit që prek tokën, por nuk mund të fusin as gishtin mes gomës dhe skajit të parafangos.
Ulja e pezullimit ndryshon ndjeshëm këndet e rrotave të automjetit. Kjo shkakton konsumim jashtëzakonisht të madh të pjesës së brendshme të gomave të pasme. Disa pronarë raportojnë se gomat krejt të reja konsumohen deri në kufirin ligjor në një kohë shumë të shkurtër.
Tesla po i zëvendëson pa pagesë sustat e dëmtuara në kuadër të garancisë, por serviset refuzojnë të zëvendësojnë gomat e konsumuara. Kështu, pronarët duhet ta paguajnë vetë koston e gomave të dëmtuara.
Për më tepër, pronarët e prekur thonë se zëvendësimi i sustave duket të jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme. Një pronar raportoi se pezullimi i ri u dëmtua përsëri vetëm dhjetë ditë pas vizitës në servis, duke shkaktuar anim të fortë të automjetit gjatë vozitjes.
Kur klienti kërkoi një ndërhyrje të re, servisi deklaroi se aktualisht nuk kishte një zgjidhje të përhershme për problemin.
Tesla ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare dhe as nuk ka njoftuar tërheqje të automjeteve nga tregu lidhur me problemet e pezullimit. /Telegrafi/





