Zyra e Prokurorit ka siguruar një përgjim telefonik të regjistruar në “San Siro”, ku pretendohet se Gianluca Rocchi flet me dy-tre persona lidhur me emërimet e gjyqtarëve për disa ndeshje ku përfshihej Interi, duke ngritur dyshime për një “sistem” ndikimi mbi vendimet e gjykimit.
Sipas njoftimit të hetimit, biseda lidhet me emërimin e Andrea Colombos për ndeshjen Bologna–Inter më 20 prill 2025, i përshkruar si një gjyqtar “i pëlqyeshëm” për skuadrën mysafire, si dhe me Daniele Doverin, i caktuar për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë më 23 prill 2025.
Hetuesit dyshojnë se ky emërim u bë edhe me qëllim që Doveri të mos ishte më pas i disponueshëm për një finale të mundshme të Kupës së Italisë dhe për ndeshjet e fundit të Serie A, të konsideruara “më me interes” për Interin, që atë sezon ishte në garë për titull me Napolin, shkruan Tuttosport.
Daniele Doveri, që nuk pëlqehej nga Interi
Hetimi i Prokurorisë së Milanos ka përfshirë edhe dëshmi nga gjyqtarë të ndryshëm, të cilat – sipas hetuesve – e përforcojnë idenë e emërimeve të dyshuara si “të manipuluara”.
Në fokus është një episod i supozuar më 2 prill 2025 në “San Siro”, ku përmendet një lloj “marrëveshjeje” për të vendosur Colombon në ndeshjen në Bologbas, ndërsa emërimi i Doverit në gjysmëfinale të Kupës shihet si mënyrë për ta mbajtur atë jashtë finales së mundshme dhe ndeshjeve vendimtare të kampionatit, ku ai “nuk ishte shumë i mirëpritur”.
Gianluca Rocchi, drejtues i gjyqtarëve në Serie A
Deri më tani, nuk ka dalë asnjë provë që Rocchi ka zhvilluar bisedime me Interin në lidhje me emërimet e gjyqtarëve, dhe asnjë lojtar apo drejtor klubi nga Nerazzurrët apo ndonjë klub tjetër i Serie A nuk është nën hetim.
Ndërsa në kuadër të hetimit të drejtuar nga prokurori Maurizio Ascione, i zhvilluar nga Njësia e Operacioneve Metropolitane e Guardia di Finanza, janë intervistuar edhe vetë gjyqtarët Doveri dhe Colombo, ndër të tjerë.
Andrea Colombo, gjyqtari që i pëlqente Interit
Nga deklaratat e dëshmitarëve dhe nga përgjimet, sipas raportimeve, kanë dalë elemente që konsiderohen si prova mbështetëse për këto emërime të dyshuara si të “kombinuara”, për të cilat gjyqtarët mund të kenë pasur dije. /Telegrafi/






