Zendaya ka tërhequr sërish vëmendjen me stilin e saj unik, duke u shfaqur në fotokallin e filmit “Spider-Man: Brand New Day” në Londër me një fustan të frymëzuar nga universi i Spider-Man.
Aktorja 29-vjeçare zgjodhi një fustan elegant pa shpinë, i cili kishte në pjesën e pasme një rrjetë merimange të punuar me detaje argjendi dhe të zbukuruar me varëse në formë zemrash, yjesh dhe një tërfili me katër gjethe.
Pjesa e përparme e veshjes ishte e frymëzuar nga qielli i natës, me motive artistike që e bënë paraqitjen edhe më të veçantë, shkruan DailyMail.

Zendaya u fotografua duke përshëndetur fansat gjatë mbërritjes në aktivitet, ndërsa në këtë dalje publike ishte e vetme, pa bashkëshortin e saj Tom Holland.
Çifti kishte bërë vetëm pak javë më parë paraqitjen e tyre të parë zyrtare në tapetin e kuq pas konfirmimit të martesës.
Kjo nuk është hera e parë që ylli përdor stilin e quajtur “method dressing” për promovimin e filmave të saj.
Gjatë ditëve të fundit, ajo është shfaqur me disa veshje të frymëzuara nga Spider-Man, përfshirë një bluzë vintage me tematikën e superheroit në Paris dhe një kostum në ngjyrat e kuqe dhe blu gjatë një fotokalli në Romë.
“Spider-Man: Brand New Day”, filmi i katërt solo i Spider-Man me Tom Holland në rolin kryesor, pritet të dalë në kinema më 29 korrik.
Historia zhvillohet katër vite pas ngjarjeve të “Spider-Man: No Way Home”, ku Peter Parker vazhdon jetën si Spider-Man në një botë që nuk e kujton më identitetin e tij, ndërsa përballet me sfida të reja dhe një kërcënim që rrezikon fuqitë e tij. /Telegrafi/





