Dy shtetas të Rusisë dhe Izraelit janë arrestuar në Mal të Zi, pasi në bagazhin e tyre u gjetën pajisje elektronike, para dhe ilaçe. Ata po tentonin të udhëtonin drejt Tel Avivit me 19 valixhe dhe çanta.
Sipas mediave malazeze, bëhet fjalë për Aleksandar Mihailovich Krugljanski, 31 vjeç dhe Aleksandra Krugljanska, 42 vjeç. Ata u arrestuan më 23 shtator në Aeroportin e Tivatit, teksa po përgatiteshin të hipnin në një fluturim drejt Tel Avivit.

Gjatë kontrollit të bagazheve, policia dhe doganat gjetën 26210 euro, 1150 shekelë izraelitë, si dhe një sasi të madhe pajisjesh elektronike dhe ilaçesh të padeklaruara.
Në mesin e pajisjeve, sipas mediave malazeze, kishte GPS tracker me mikrofon, detektor profesional për sinjale radio, kamera vëzhgimi, pajisje për video-mbikëqyrje, komponentë kompjuterikë, pajisje memorieje, kabllo dhe pajisje të tjera elektronike.
Pajisjet kanë ngritur dyshime se mund të përdoreshin për gjurmim, mbikëqyrje dhe zbulimin e pajisjeve të përgjimit.
Megjithatë, autoritetet malazeze zyrtarisht kanë bërë të ditur se dy personat janë arrestuar nën dyshimin për veprat penale të kontrabandës dhe pastrimit të parave. Prokurori i Prokurorisë Themelore të Shtetit në Kotor ka urdhëruar ndalimin e tyre.
Sipas policisë, pajisjet e komunikimit që përdornin dy të dyshuarit janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen kontrollit të mëtejshëm.
Mediat malazeze raportojnë se dy personat kishin viza turistike dhe se gjatë periudhës së kaluar kishin hyrë disa herë në Mal të Zi. /Telegrafi/





