General Motors po përgatit një motor të ri V8 me turbo-dizel, me vëllim prej 8.3 litrash, për kamionçinat e tij të mëdha. Motori mban emrin e koduar Mungos.
Këtu vjen edhe një lojë interesante me emrin dhe simbolikën. Motori dizel 6.7-litërsh Power Stroke i Fordit mban emrin e brendshëm Skorpion.
Në natyrë, mangusta sulmon kafshë të ndryshme, përfshirë edhe akrepat, ndaj është e qartë se çfarë mesazhi ka dashur të përcjellë GM.
Motori i ri V8 do të zëvendësojë motorin aktual dizel 6.7-litërsh. Vëllimi më i madh sjell më shumë fuqi dhe çift rrotullues, si dhe kapacitet më të madh për tërheqjen e rimorkiove.
GM ka bërë të ditur se motori i ri zhvillon 555 kuaj/fuqi dhe 1,668 Nm çift rrotullues.
Në krahasim, motori 6.7-litërsh Power Stroke i Fordit zhvillon 500 kuaj/fuqi dhe rreth 1,627 Nm çift rrotullues.
Kjo do të thotë se automjetet e pajisura me motorin Mungos do të mund të tërheqin rimorkio me peshë deri në 17,270 kilogramë. Motori do të kombinohet me një transmision automatik me 10 shpejtësi, i cili është projektuar për të përballuar këtë nivel të fuqisë dhe çiftit rrotullues.
Motori i ri dizel do të vendoset në modelet Chevrolet Silverado HD dhe GMC Sierra HD, duke filluar nga viti model 2027. /Telegrafi/






