Futbollisti i Galatasarayt, Lucas Torreira, përjetoi një incident të pakëndshëm në Stamboll, pasi u sulmua fizikisht të martën në mbrëmje nga një 32-vjeçar, i cili më vonë pranoi se ishte i fiksuar pas të dashurës së Torreiras.
Sipas mediave turke, incidenti ndodhi rreth orës 18:45 në një qendër tregtare në lagjen Beyoglu. Mesfushori uruguaian ishte në fushën e padelit kur Yusuf Y. iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë.
Pas sulmit, i dyshuari u përpoq të arratisej me një taksi, por policia e gjeti shpejt dhe e arrestoi në dalje të qendrës. Gjatë hetimit, u përcaktua se Yusuf Y. ishte ndëshkuar më parë për sjellje të dhunshme dhe shkaktim të lëndimeve trupore.
Në seancën dëgjimore, Yusuf Y. pranoi se motivi i sulmit ishte obsesioni i tij me fotografen Ipek B., e cila dyshohet se ishte në një lidhje me Torreiran.

“Një vit më parë pashë fotot e tyre së bashku në Instagram dhe atëherë fillova të ndiej urrejtje ndaj tij”, tha i dyshuari.
Ai shtoi se kishte postuar mesazhe urrejtjeje drejtuar futbollistit në rrjetet sociale dhe, pasi zbuloi se ku ishte Torreira, vendosi të shkonte atje.
“E pashë dhe menjëherë e godita me grusht në fytyrë”, pranoi ai gjatë seancës dëgjimore.
Lucas Torreira i konfirmoi policisë se Ipek B. ishte e dashura e tij dhe zbuloi se ai vetë kishte marrë më parë një urdhër ndalimi 45-ditor kundër sulmuesit.
Pas incidentit, futbollisti uruguaian ngriti një ankesë zyrtare kundër sulmuesit.
Gjatë hetimit, policia përcaktoi gjithashtu se shoferi i Torreirës u përpoq të reagonte pas sulmit dhe e goditi të dyshuarin për të parandaluar konflikt të mëtejshëm.
Ekzaminimi mjekësor i Torreirës zbuloi skuqje midis syrit të majtë dhe vetullës, por për fat të mirë ai nuk pësoi lëndime serioze.
Videot e incidentit u shfaqën shpejt në rrjetet sociale, duke treguar trazirat pas sulmit, si dhe momentin kur sulmuesi qëndron afër dhe pret ndërsa Torreira bën foto me tifozët.
Pas përpunimit policor, Yusuf Y. u nxor para gjykatës, e cila urdhëroi paraburgimin e tij për veprën penale të shkaktimit të qëllimshëm të lëndimit trupor.
Ndryshe, Torreira është një lojtar i ekipit kombëtar uruguaian i cili luan si mesfushor. Gjatë karrierës së tij, ai luajti për Pescara, Sampdoria, Arsenal, Atletico Madrid, Fiorentina dhe Galatasaray.
Gjigantët turq e sollën atë nga Arsenali në vitin 2022 për gjashtë milionë euro, ndërsa “Topçinjtë” e paguan atë për plot 28 milionë euro në vitin 2018.
Këtë sezon, Torreira ka bërë 46 paraqitje për Galatasarayn, duke shënuar katër gola dhe duke dhënë katër asistime, dhe sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg aktualisht është rreth 12 milionë euro. /Telegrafi/





