Lamine Yamal ka bërë të qartë se Barcelona nuk dëshiron të mjaftohet vetëm me paraqitjet e mira në fillim të sezonit, pasi objektivi i klubit është të luftojë për trofe të rëndësishëm.
Sulmuesi spanjoll beson se Barcelona ka cilësinë dhe unitetin e nevojshëm për të garuar për tituj, ndërsa Ligën e Kampionëve e sheh si sfidën më të madhe për ekipin e Hansi Flickut.

Duke folur për “On Sport”, Yamal theksoi se në Ligën e Kampionëve shpesh vendosin detajet më të vogla dhe se fati, përvoja dhe koha luajnë një rol të rëndësishëm.
“Gjithçka varet nga fati. Liga e Kampionëve nuk vendoset në një ndeshje të vetme; mund të luash keq dhe ta humbësh titullin. Prandaj të duhet fati, së bashku me përvojën, dhe këto gjëra ndërtohen vit pas viti”.
“Shpresoj që fati të jetë në anën tonë këtë vit. Ne luajmë për ta fituar titullin; nuk jemi këtu vetëm për shëtitje. Duam të fitojmë dhe ta rikthejmë trofeun në Barcelonë dhe, me ndihmën e Zotit, do ta arrijmë fitoren këtë vit”.
Barcelona ka nisur mirë sezonin, ndërsa afrimet e reja janë përshtatur shpejt me skuadrën. Në të njëjtën kohë, raportet mes futbollistëve që kanë qenë prej kohësh pjesë e ekipit janë forcuar edhe më shumë.
Yamal vlerëson pikërisht këtë kombinim si një prej arsyeve për paraqitjet e mira të Barcelonës në fillim të sezonit.
“Jemi në formë të shkëlqyer për momentin dhe mezi presim të vazhdojmë të luajmë futboll argëtues dhe emocionues. Mendoj se ka pasur një ngritje në standard, paraqitje dhe cilësi, si për shkak të lojtarëve të rinj që janë përshtatur mirë, ashtu edhe për shkak të harmonisë mes lojtarëve që ishin tashmë në skuadër, e cila po bëhet më e fortë çdo ditë”./Telegrafi/





