Një xhami në Londër, e regjistruar si organizatë bamirësie, po përballet me shqyrtim nga autoritetet britanike pas publikimit të disa predikimeve në internet, në të cilat pretendohet se burrat mund t’i “disiplinojnë fizikisht” gratë që nuk u binden dhe justifikohet dënimi me vdekje për homoseksualitetin.
Bëhet fjalë për Hackney Islamic Community Centre, i njohur gjithashtu si Masjid Daar Al-Hadeeth. Organizata është raportuar te Charity Commission nga grupi National Secular Society, i cili ka ngritur shqetësime mbi përmbajtjen e disa ligjëratave të publikuara në YouTube.
Në disa prej videove, predikuesi Yasin Munye flet për detyrimet që, sipas interpretimit të tij fetar, një grua duhet të ketë ndaj bashkëshortit. Ai përmend edhe mundësinë e përdorimit të dhunës fizike si formë “disiplinimi”, përfshirë rastet kur gruaja refuzon marrëdhëniet intime.
Në një tjetër pjesë të ligjëratave, Munye e përshkruan seksin homoseksual si një mëkat shumë të rëndë dhe thotë se, sipas interpretimit të tij të Sheriatit, personat e përfshirë mund të dënohen me vdekje.
Ai gjithashtu ka lavdëruar Arabinë Saudite për zbatimin e dënimit me vdekje ndaj personave të akuzuar për “magji”, duke thënë se ky dënim vazhdon të zbatohet në atë vend, transmeton Telegrafi.
Pretendime të ngjashme për rolin e gruas në martesë shfaqen edhe në ligjërata të tjera të publikuara nga qendra. Një ligjërues tjetër, Abu Sa’ad Muhammad Al-Iraqi, është regjistruar duke argumentuar se gruaja duhet t’i përmbushë detyrimet ndaj bashkëshortit edhe nëse ai e keqtrajton.
Sipas National Secular Society, këto qëndrime ngrenë pikëpyetje mbi faktin nëse aktivitetet e organizatës janë në përputhje me detyrimet që lidhen me statusin e saj bamirës.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Charity Commission, qendra ofron shërbime fetare, arsimore dhe aktivitete për komunitetin lokal, përfshirë lutjet ditore, mësimet fetare dhe programe për të rinjtë.
Charity Commission ka konfirmuar se ka marrë ankesën dhe ka hapur një “regulatory compliance case” për të shqyrtuar shqetësimet lidhur me predikimet dhe përmbajtjen e publikuar në rrjetet sociale. Autoriteti tha se do ta përdorë këtë proces për të përcaktuar nëse nevojiten hapa të mëtejshëm.
Komisioni theksoi se të gjitha organizatat bamirëse, pavarësisht qëllimit të tyre, duhet të veprojnë në interes të publikut dhe të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe të besueshëm.
Ndërkohë, qendra është kontaktuar për një reagim mbi akuzat dhe shqyrtimin e nisur nga autoritetet.
Çështja pritet të rikthejë debatin në Britani mbi kufijtë mes lirisë fetare, predikimit dhe detyrimeve ligjore të organizatave që gëzojnë status bamirësie. /Telegrafi/






