Vjeshta ka mbërritur zyrtarisht në Portugali, por temperaturat vazhdojnë të sillen si në kulmin e verës.
Në Lisbonë, termometrat shënuan 36 gradë Celsius në ditën e parë të vjeshtës, duke i zënë në befasi turistët që kishin ardhur të përgatitur për temperatura shumë më të buta, transmeton Telegrafi.
Në disa zona të brendshme të Portugalisë, temperaturat janë ngjitur deri në 40 gradë Celsius, ndërsa vala e pazakontë e të nxehtit po vazhdon në pjesë të ndryshme të vendit.
Turistët në qendër të Lisbonës treguan se kishin marrë me vete rroba për mot më të freskët. Një turiste nga Kanadaja tha se kishte menduar se temperaturat do të ishin rreth 21–23 gradë dhe madje kishte marrë edhe një pallto.
Për t’i shpëtuar temperaturave të larta gjatë orëve më të nxehta, turistët po përdorin disa mënyra të thjeshta: mbajnë vazhdimisht ujë me vete, hyjnë në dyqane me ajër të kondicionuar dhe kërkojnë rrugicat me hije.
Një turist britanik tha se në diell temperaturat bëhen shumë të larta, ndërsa në hije dhe në ambiente të mbyllura situata është shumë më e këndshme.
Megjithatë, për turistët britanikë, moti i ngrohtë mbetet i mirëpritur për disa ditë pushimesh, sidomos krahasuar me temperaturat rreth 20 gradë Celsius që po mbizotërojnë në Angli.
Shërbimi meteorologjik portugez IPMA ka lëshuar paralajmërim për temperatura të larta në disa rajone deri në fund të së enjtes. Autoritetet lokale kanë paralajmëruar gjithashtu për rrezik të lartë të zjarreve në pyje në disa zona të brendshme.
Sipas parashikimeve, temperaturat pritet të bien disi nga java e ardhshme. /Telegrafi/






