Tre vjet pas ditës kur ra në krye të detyrës në Banjskë, Afrim Bunjaku u kujtua sot në familjen e tij mes dhimbjes, krenarisë dhe respektit për sakrificën e tij.
Në përvjetorin e rënies së Heroit të Kosovës, përfaqësues të institucioneve vizituan familjen Bunjaku. Ata nderuan jetën dhe veprën e policit të vrarë më 24 shtator 2023, gjatë sulmit të armatosur në Banjskë.
Në mesin e tyre ishte edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Ajo tha se vepra dhe sakrifica e Afrim Bunjakut do të mbeten pjesë e historisë së Kosovës.
Haxhiu theksoi se institucionet vazhdojnë të kërkojnë nga partnerët ndërkombëtarë që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë.

“Jemi bashkë në dhimbje dhe jemi krenarë bashkë, për shkak se vepra dhe sakrifica e Afrim Bunjakut do të mbetet pjesë e historisë së Kosovës, se si ai e dha jetën për shtetin e Kosovës, si ai bashkë me policët tjerë që kanë qenë të angazhuar në Banjskë e prishën planin e Serbisë përmes grupit terrorist që tentuan të aneksojnë një pjesë të Kosovës. Ta kujtojmë edhe sot qëndresën, por edhe çdo gjë tjetër. Bëhuni të fortë. E di se dhimbja mbetet e madhe, por edhe krenarë për veprën e tij”, tha Haxhiu.
Ajo kërkoi nga partnerët ndërkombëtarë që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për transferimin në Kosovë të personave të dyshuar për organizimin dhe kryerjen e sulmit.
“Kërkojmë që edhe partnerët ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë dhe ta transferojnë në Kosovë kryeterroristin dhe terroristët e tjerë dhe në vazhdimësi kemi bërë kërkesa nga partnerët që t’i transferojnë dhe të përballen para drejtësisë në Kosovë. Kjo ka qenë një nga temat e kryeministrit Kurtit në SHBA, në vizitë atje. Prandaj edhe nuk është i pranishëm këtu, por do të jetë në akademinë në nder të jetës dhe veprës së Afrim Bunjakut”, tha ajo.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e cilësoi përvjetorin si ditë dhimbjeje, por edhe krenarie për sakrificën e Bunjakut dhe policëve që u përballën me grupin e armatosur në Banjskë.
“Është dhimbje, por edhe krenari e jashtëzakonshme… Një moment historik i popullit tonë, i fitores që nuk ka shoq, i Republikës, dhe na bën krenar të gjithëve dhe na tregon se këtë rrugëtim e ka pasur Afrimi dhe shokët e tij, që të mos na vijnë situata të ngjashme, meqë kemi një fqinj armik. Edhe nëse vijnë aso situatash, të jemi fitimtarë dhe të suksesshëm, për aq sa kemi qenë në Banjskë, për vite, dhe Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të jenë edhe më të forta”, tha Sveçla.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se rënia e Bunjakut nuk mbeti pa përgjigje nga kolegët e tij.
Ai theksoi se Policia e Kosovës do të vazhdojë të përballet me çdo kërcënim ndaj sigurisë së vendit.
“Mendoj që është dita përfundimtare kur mbizotërimi i bandave terroriste atë ditë në Banjskë ka marrë fund. Ju e dini se Policia e Kosovës punon në kushte të rrezikshme dhe ajo ditë ka qenë e rrezikshme për ne. Fatkeqësisht ranë Afrimi dhe kolegët e tij, se kanë qenë në detyrë, mirëpo ju garantoj se gjaku i Afrimit nuk ka shkuar, sepse shokët e Afrimit e kanë nxjerrë hakun e tij shumëfish. Grupet terroriste e kanë dëgjuar zërin e pushkës dhe fuqisë tonë dhe, nëse rrezikohemi prapë, do të dalim përballë çdo sfide dhe duke qenë në përpjekjen më serioze që kanë bërë grupet terroriste. Sot do të vendoset lapidari i Afrim Bunjakut në Banjskë, me dëshmi se shteti i Kosovës janë gjithmonë më të”, deklaroi Hoxha.
Hoxha bëri të ditur gjithashtu se djali i Afrim Bunjakut pritet t’i bashkohet Policisë së Kosovës. Ai e cilësoi këtë si shembull motivimi edhe për brezat e rinj.
Aktivitetet përkujtimore vazhdojnë me homazhe te varri i Afrim Bunjakut në Samadrexhë.
Më pas, në Banjskë do të vendoset gurthemeli i obeliskut kushtuar Heroit të Kosovës. Aktivitetet do të përmbyllen me akademinë përkujtimore në nder të jetës dhe veprës së tij. /KP/





