Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë, duke premtuar mbështetje, siç u premtoi ai “me të gjitha forcat”.
Vuçiq këto deklarime i bëri në televizionin shtetëror serb. Deklaratat vijnë pas arrestimit të shtatë personave të lidhur me Listën Serbe për dyshime mbi presion ndaj votuesve.

Vuçiq paralajmëroi një betejë politike për kontrollin e përfaqësimit serb në Kosovë.
“Ne do të luftojmë”, tha Vuçiq, duke akuzuar shqiptarët se po tentojnë të dobësojnë serbët dhe të mbështesin, sipas tij, njerëz që siç tha ai “duan ta shkatërrojnë Serbinë”.
Shefi i shtetit serb foli edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke insistuar se ai mbetet çështje kyçe për serbët në Kosovë, ndërsa rikujtoi edhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Deklaratat e Vuçiqit vijnë në një kohë tensionesh politike dhe raportimesh për presion ndaj votuesve serbë në Kosovë.
Vetëm pak ditë më parë, autoritetet kosovare arrestuan shtatë serbë, nën dyshimin për cenim të vullnetit të lirë të votuesve.
Ndërkaq, të enjten, Gjykata Themelore në Prishtinë ua caktoi nga një muaj paraburgim. Sipas gjykatës, masa është caktuar për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale. Deklarimet e fundit të presidentit serb po shihen si vazhdim i përpjekjeve të Beogradit për ndikim të drejtpërdrejtë në procesin demokratik të Kosovës./RTK





