Trajnimet në Data Science dhe AI hapin mundësi të reja

Teknologji

Data Science dhe Inteligjenca Artificiale po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në tregun e punës, ndërsa bashkë me këtë po rritet edhe nevoja për të rinj të aftësuar në analizimin dhe përdorimin e të dhënave. Pikërisht te zhvillimi i këtyre shkathtësive është fokusuar episodi i radhës i podcastit “Gati për Tregun e Punës”, ku […]

Madhësia e shkronjave

Data Science dhe Inteligjenca Artificiale po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në tregun e punës, ndërsa bashkë me këtë po rritet edhe nevoja për të rinj të aftësuar në analizimin dhe përdorimin e të dhënave.

Pikërisht te zhvillimi i këtyre shkathtësive është fokusuar episodi i radhës i podcastit “Gati për Tregun e Punës”, ku moderatorja Fiona Xhema Troshupa ka bashkëbiseduar me Arbër Kryeziun nga Makerspace Innovation Center në Prizren.

Në bisedë është diskutuar për arsyet pse Data Science po bëhet një fushë gjithnjë e më e rëndësishme, mënyrën se si po përgatiten të rinjtë për këtë treg dhe mundësitë që ofrojnë trajnimet praktike.

“Pse keni vendosur që kësaj radhe fokusi të jetë te Data Science, apo shkenca e të dhënave?”, pyet Xhema Troshupa gjatë bisedës.

Kryeziu shpjegon se zgjedhja lidhet me rëndësinë që të dhënat kanë marrë sot për bizneset dhe tregun e punës.

“Sot jemi të rrethuar nga të dhënat. Gjithçka lidhet me të dhënat, por mungesa e njohurive për përpunimin dhe analizimin e tyre na ka shtyrë të ofrojmë një trajnim që i ndihmon të rinjtë të punojnë me të dhëna dhe të zhvillojnë karrierë në këtë fushë”, thotë ai.

Makerspace po zhvillon programin Data Science me Inteligjencë Artificiale në partneritet me projektin Matching Skills to Jobs – MSJ dhe Komunën e Prizrenit.

Programi është i licencuar ndërkombëtarisht dhe zgjat katër muaj, me trajnim katër ditë në javë dhe nga katër orë në ditë. Pjesëmarrësit aftësohen në analizimin dhe vizualizimin e të dhënave, si dhe në përdorimin e tyre për zgjidhjen e problemeve konkrete.

Interesimi ka qenë i lartë, me mbi 130 aplikime për vetëm 20 vende, ndërsa grupi aktual përbëhet në mënyrë të barabartë nga vajza dhe djem.

Një pjesë e rëndësishme e programit është puna me projekte reale nga industria. Pjesëmarrësit përballen me sfida konkrete dhe zhvillojnë zgjidhje që lidhen me analizën e të dhënave dhe vendimmarrjen në biznese. Programi do të përmbyllet edhe me një hackathon dyditor me sfida nga kompani private.

Paralelisht po aftësohen edhe trajnerë vendorë, ndërsa pas interesimit për grupin e parë është hapur edhe thirrja për grupin e dytë të Data Science Bootcamp. Po ashtu, po përgatitet programi Data Science for Business Leaders, i dedikuar për menaxherë dhe pronarë biznesesh.

Biseda e plotë mes Fiona Xhema Troshupës dhe Arbër Kryeziut mund të ndiqet në episodin e radhës të podcastit “Gati për Tregun e Punës”.

“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact. /Telegrafi/