Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli e kishte paralajmëruar Britaninë e Madhe për një komplot të dyshuar, të sponsorizuar nga Irani, për sulm ndaj bazës ajrore RAF Fairford, një objekt me rëndësi strategjike që përdoret nga forcat amerikane për operacionet ndaj Iranit.
Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se inteligjenca izraelite iu dorëzua autoriteteve britanike pak para se Londra të vendoste sanksione ndaj produkteve nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor më 8 shtator.
“Ne u dhamë britanikëve informacionin se do të kishte një sulm dhe se ishte një sulm i sponsorizuar nga Irani”, tha Netanyahu, duke kritikuar njëkohësisht qeverinë britanike për qëndrimin e saj ndaj Izraelit.
Deklarata e tij vjen pas arrestimit të pesë shtetasve britanikë në të 20-at, të dyshuar për vepra të lidhura me terrorizmin dhe eksplozivët pranë RAF Fairford, transmeton Telegrafi.
Hetimi mori një kthesë të rëndësishme pasi policia britanike njoftoi se, pas disa ditësh kontrollesh dhe përfshirjes së ekspertëve për çaktivizimin e bombave, nuk u gjetën eksplozivë në automjetet e të dyshuarve. Megjithatë, autoritetet sekuestruan një sasi benzine.
Të pesë të dyshuarit janë liruar me kusht dhe mbeten nën hetim, ndërsa policia po shqyrton nëse ata mund të kenë vepruar në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme në emër të një shteti të huaj. Një nga pistat kryesore të hetimit është lidhja e mundshme me Iranin.
Kryeministri britanik Andy Burnham ka deklaruar se ekzistojnë “indikacione të forta” për përfshirjen e Iranit në incident, ndërsa autoritetet britanike dhe amerikane po bashkëpunojnë në hetim.
Teherani, ndërkaq, e ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje. Ambasada iraniane në Londër ka dënuar spekulimet, ndërsa ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi e ka akuzuar Burnhamin se po ndjek pistën e gabuar.
RAF Fairford është një bazë kyçe për operacionet amerikane, ku janë vendosur bombardues strategjikë të SHBA-së. Për këtë arsye, incidenti ka ngritur shqetësime të veçanta për sigurinë e objekteve amerikane në territorin britanik.
Hetuesit po shqyrtojnë tashmë nëse pesë britanikët kishin për qëllim një sulm, kryerjen e një vëzhgimi të bazës, testimin e sigurisë së saj apo nëse mund të ishin përdorur nga një aktor i huaj.
Ndërkohë, pretendimi i Netanyahu-t se Izraeli e kishte paralajmëruar paraprakisht Britaninë për një sulm të lidhur me Iranin është një element i ri në këtë çështje dhe pritet të shtojë presionin mbi autoritetet britanike për të sqaruar se çfarë informacioni inteligjent kishte marrë Londra dhe kur e kishte marrë atë. /Telegrafi/






