Toni Kroos analizon finalen – i jep përparësi të madhe Spanjës, ndërsa ndalet edhe te Messi

Sport

Ish-mesfushori gjerman, Toni Kroos, i jep përparësi Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 dhe paralajmëron për rrezikun që i kanoset Argjentinës nëse “La Roja” shënon e para. Para finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, Toni Kroos ka dhënë analizën e tij për sfidën që do të përcaktojë […]

Madhësia e shkronjave

Ish-mesfushori gjerman, Toni Kroos, i jep përparësi Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026 dhe paralajmëron për rrezikun që i kanoset Argjentinës nëse “La Roja” shënon e para.

Para finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, Toni Kroos ka dhënë analizën e tij për sfidën që do të përcaktojë kampionin e ri të botës.

Ish-futbollisti i kombëtares gjermane dhe i Real Madridit beson se Spanja ka avantazh në këtë përballje dhe ka theksuar se një gol i hershëm nga skuadra e Luis de la Fuente mund ta ndryshojë tërësisht rrjedhën e finales.

Kroos e bëri analizën në një emision në TikTok, të cilin e drejton së bashku me vëllain e tij, Felix, duke u ndalur veçanërisht te aftësia e Spanjës për të kontrolluar ndeshjen pasi kalon në epërsi.

“Nëse një ekip si Spanja arrin ta imponojë lojën e saj ndërsa është duke udhëhequr, askush nuk dëshiron të përballet me të. Është shumë e vështirë të luash kundër tyre në atë situatë”, tha Kroos.

“Nëse Spanja shënon e para, mund të harrosh gjithçka”

Sipas Kroos, momenti i parë i finales mund të jetë vendimtar. Ai beson se nëse Spanja arrin të shënojë golin e parë, Argjentina do ta ketë shumë të vështirë të rikthehet në lojë për shkak të mënyrës së kontrollit të ndeshjes nga spanjollët.

“Nëse Spanja kalon në avantazh 1-0, mund të harrosh gjithçka. Argjentina mund të pësojë tre ose katër gola, sepse thjesht mund të mos gjejë një zgjidhje për mënyrën se si luan Spanja”, deklaroi ish-mesfushori gjerman.

Lavdëron Messin dhe mentalitetin e Argjentinës

Megjithëse e sheh Spanjën si favorite, Kroos nuk e nënvlerëson aspak Argjentinën. Ai vlerësoi mentalitetin e kampionëve në fuqi të botës dhe rolin vendimtar të Lionel Messit në rrugëtimin drejt finales.

“Argjentina nuk është më e mirë se Gjermania, por ka një mentalitet të jashtëzakonshëm. Ata kanë Messin, i cili i ka udhëhequr deri në finale”, tha Kroos.

Ai gjithashtu u shpreh i impresionuar nga mënyra se si Messi vazhdon të lexojë lojën dhe të ndikojë në ndeshje, pavarësisht moshës.

“Kam vënë re se inteligjenca e tij në fushë vazhdon të rritet. Ai e kupton lojën në një mënyrë të jashtëzakonshme. Nuk e prisja që Messi të qëndronte kaq gjatë në majë”, deklaroi ai.

Kroos pranoi se nuk e kishte imagjinuar që Messi do të vazhdonte të luante në nivelin më të lartë kaq gjatë. /Telegrafi/