Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Avni Spahiu, ka thënë se Kosova duhet të tregojë kujdes të vazhdueshëm në marrëdhëniet me SHBA-në, duke vlerësuar se ndër vite janë bërë gabime që kanë krijuar tensione të panevojshme në raportet mes dy vendeve.
Në podcastin PIKË, raporton Koha, Spahiu ka thënë se mbështetja amerikane për Kosovën nuk duhet të merret si e mirëqenë, pavarësisht interesave të përbashkëta.

“Shumë thonë se Amerika e ka ndihmuar Kosovën për shkak të interesave të saj. Në rregull, por edhe interesi ynë ka qenë të jemi me Amerikën, prandaj kjo nuk mund të merret si argument”, u shpreh ai.
Spahiu theksoi se në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë të sigurojnë mbështetjen e Washingtonit, Kosova duhet të shmangë veprimet që mund të krijojnë dyshime apo krizë besueshmërie në raport me aleatin e saj kryesor.
Sipas tij, jo vetëm qeveria aktuale, por edhe qeveritë e mëparshme kanë bërë lëshime në menaxhimin e marrëdhënieve me SHBA-në, kryesisht për shkak të mungesës së konsultimeve ose njoftimit paraprak për vendime të caktuara.
“Janë bërë disa gabime, jo vetëm nga kjo qeveri. Ka pasur lajthitje edhe nga qeveritë e mëparshme sa i përket raporteve me Amerikën, kryesisht për shkak të mungesës së konsultimit apo njoftimit për disa veprime konkrete”, ka thënë Spahiu.
Ai shtoi se, megjithatë, këto veprime nuk kanë shkaktuar çarje të mëdha në marrëdhëniet me SHBA-në, por duhet të shërbejnë si mësim që Kosova të jetë më e kujdesshme në ruajtjen e partneritetit strategjik me Washingtonin.





