Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës programin qeveritar dhe kabinetin e ri qeverisës, pas votimit të Qeverisë së re të udhëhequr nga ai.
Në fjalimin e tij, Kurti ka deklaruar se qeverisja e re do të fokusohet në zhvillimin ekonomik, prodhimtarinë, mirëqenien sociale, sigurinë, arsimin, shëndetësinë dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Ai ka thënë se nuk do të ketë një ekspoze tërësisht të re, pasi zgjedhjet e përsëritura kanë ndërprerë qeverisjen e njëjtë.
“Vizioni ynë në këto vite të qeverisjes sonë të përbashkët është punë për qytetarin dhe mbrojtje për familjen. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka deklaruar se gjatë pesë viteve të fundit Kosova ka shënuar rritje mesatare ekonomike prej 6 për qind, duke theksuar se në çerekun e parë të vitit 2026 rritja ishte 5.4 për qind.
Sipas tij, Bruto Produkti Vendor është rritur nga rreth 7 miliardë euro në 11 miliardë euro, ndërsa për këtë vit është projektuar të arrijë në 12 miliardë euro.
Ai ka thënë se numri i të punësuarve është rritur nga 350 mijë në 430 mijë, ndërsa të ardhurat e familjeve janë rritur përmes pagës minimale, pensioneve, shtesave për fëmijë dhe pagave në sektorin publik.
Kurti ka paralajmëruar se në mandatin e ri paga mesatare në sektorin publik do të kalojë 1 mijë euro në muaj.
Kryeministri ka bërë të ditur se shtesat për fëmijët do të dyfishohen gjatë mandatit të ardhshëm.
Sipas tij, shtesat do të rriten nga 30 në 60 euro dhe nga 45 në 90 euro për fëmijë, varësisht nga numri i fëmijëve në familje.
Ai ka përmendur edhe mbështetjen për nënat lehona, të cilat nga 1 korriku marrin 500 euro në muaj për gjashtë muaj.
Në kuadër të programit “Gjenerata për gjeneratë”, Kurti ka propozuar që gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat nga 13 deri në 36 muaj, në rastet kur të dy prindërit punojnë, të marrin 100 euro shtesë në muaj.
Kurti ka prezantuar një program prej 1 miliard eurosh për prodhimin dhe industrinë.
Ai ka thënë se Banka Zhvillimore do të financojë projektet strategjike, do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe do t’u japë prodhuesve e eksportuesve letërgaranci për pagesa.
Sipas tij, do të lehtësohet marrja e kredive për investitorët që prodhojnë dhe punësojnë, ndërsa përmes amortizimit të përshpejtuar do të ulet kostoja e investimeve.
Kurti ka paralajmëruar edhe faturimin elektronik ndërmjet bizneseve, rimbursim më të shpejtë të TVSH-së dhe heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian.
Ai ka përmendur gjithashtu zhvillimin e Valutës Digjitale të Kosovës, ndërtimin e Kullës TIK në Prishtinë dhe krijimin e 15 qendrave të inovacionit, inkubatorëve teknologjikë dhe industrialë deri në fund të mandatit.
Në sektorin e turizmit, Kurti ka prezantuar projektin e madh të Brezovicës, për të cilin ka thënë se do të investohen deri në 500 milionë euro.
Investimet do të përfshijnë rrugët, akomodimin, pistat e skijimit, teleferikët dhe renovimin e ndërtimin e hoteleve.
Ai ka paralajmëruar edhe zhvillimin e Qendrës turistike “Dukagjini” në Pejë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna, si dhe mbështetje për bujtinat ekologjike në Bjeshkët e Nemuna dhe në Sharr.
Kurti ka deklaruar se përmes “Dritares për Investime të Diasporës” do të mbështeten deri në 100 milionë euro investime të mërgatës në Kosovë.
Shteti, sipas tij, do të jetë garantues i kredive për këto investime.
Ai ka thënë se me anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), mërgimtarëve do t’u kursehen rreth 60 milionë euro nga shpenzimet e dërgesave të parave.
Kryeministri ka paralajmëruar se paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet.
Ai ka bërë të ditur se do të ndërmerret nisma për pagën e 13-të në sektorin publik dhe privat, ndërsa në të ardhmen synohet edhe paga e 14-të.
Sipas Kurtit, Fondi i Sigurimeve Shoqërore do të mbështesë punëtorët pas humbjes së vendit të punës dhe do të mbulojë pushimin e lehonisë dhe pushimin prindëror.
Numri i inspektorëve të punës, sipas tij, do të rritet deri në 200.
Kurti ka paralajmëruar dyfishimin e buxhetit për bursa studentore dhe zgjerimin e mbështetjes edhe për studentët e kolegjeve jopublike.
Ai ka thënë se do të hapen pesë gjimnaze të specializuara, do të shtohen dhjetë profile të reja në arsimin dual dhe interneti i shpejtë e falas do të shtrihet në 1 mijë institucione parauniversitare.
Në shëndetësi, ai ka deklaruar se çdo qytetar do ta ketë mjekun familjar dhe do të përfshihet në regjistrin e kujdesit parësor.
Kurti ka paralajmëruar ndërtimin e spitaleve të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj, pajisjen e spitaleve publike me tomografi të kompjuterizuar dhe rritjen e buxhetit për listën esenciale të barnave deri në 100 milionë euro.
Në fushën e mbrojtjes, Kurti ka bërë të ditur se për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të ndahen mbi 1 miliard euro gjatë katër viteve të ardhshme.
Ai ka deklaruar se industria ushtarake “Made in Kosova” do të fokusohet në prodhimin e municionit, dronëve, robotëve dhe teknologjive të tjera mbrojtëse.
Sipas tij, prodhimi i municionit është paraparë të nisë brenda vitit 2026.
Kurti ka paralajmëruar edhe krijimin e Njësisë Ushtarake të Përbashkët me Shqipërinë, si dhe rritjen e numrit të grave dhe vajzave në FSK në 1 mijë.
Në fushën e sigurisë, Kurti ka deklaruar se do të themelohet Xhandarmëria e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, kjo njësi do të ketë për detyrë mbrojtjen e kufirit, luftimin e terrorizmit, përballimin e rreziqeve të larta dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Ai ka paralajmëruar edhe fuqizimin e njësive të dronëve dhe antidronëve, si dhe pajisjen e Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit me teknologji të avancuara.
Kurti ka deklaruar se do të modernizohen termocentralet Kosova A dhe Kosova B, ndërsa synohet sigurimi i 305 megavatëve nga era dhe 250 megavatëve nga dielli.
Ai ka thënë se synimi është që 20 për qind e energjisë së konsumuar të vijë nga burimet e pastra.
Në infrastrukturë, kryeministri ka paralajmëruar ndërtimin e hekurudhës Gjakovë–Shkodër, në kuadër të lidhjes hekurudhore Prishtinë–Durrës, si dhe projekte të tjera rrugore, përfshirë autostradën e Gjilanit deri te Dheu i Bardhë dhe rrugën Prizren–Tetovë.
Sipas tij, investimet kapitale do të synojnë të kalojnë 1 miliard euro në vit.
Kurti ka deklaruar se Qeveria do të vazhdojë përkujdesjen për kategoritë e dala nga lufta dhe familjet e dëshmorëve.
Ai ka thënë se familjet me një dëshmor tash marrin 537 euro pension, ndërsa familjet me dy dëshmorë 806 euro.
Kryeministri ka kërkuar gjithashtu nga Serbia hapjen e arkivave që lidhen me krimet e luftës në Kosovë dhe ka thënë se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë do të mbetet detyrë shtetërore.
Në fillim të fjalimit, Kurti ka folur edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka thënë se kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë dhe në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit shqiptar.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë e drejtoj është i njëjtë dhe i qartë: në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë së Serbisë, nën Millosheviqin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, ka deklaruar Kurti.
Në fund të fjalimit, Kurti ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar, i cili përbëhet nga:
Kurti ka thënë se Qeveria e re ka program të qartë, masa të përcaktuara dhe përgjegjësi të matshme.
Ai ka bërë të ditur se në tetor do të prezantohet Buxheti i Kosovës për vitin 2027, ndërsa ka kërkuar nga Kuvendi mbështetje për zbatimin e programit qeveritar dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës./Telegrafi/






