Lojtarët në Japoni do të kenë mundësinë të blejnë konsolën PlayStation 5 të Sony-t në ngjyrë të zezë, në versionin e ri Midnight Black, i cili për momentin do të jetë ekskluziv për tregun japonez.
Konsola e re do të dalë në shitje më 19 nëntor, me çmim prej 55 mijë jenësh, apo rreth 311 euro. Porositë paraprake do të hapen më 20 tetor.

Modeli i ri është një version digjital i PS5, pa lexues disqesh, ndërsa si mbështjellësi i konsolës, ashtu edhe kontrolluesi DualSense, janë të dizajnuar në ngjyrë të zezë.
Ky version është i kufizuar për përdorim në Japoni. Konsola mbështet vetëm gjuhën japoneze dhe mund të përdoret vetëm me një llogari PlayStation të konfiguruar për Japoninë, si në aspektin e gjuhës, ashtu edhe të rajonit.
Sony ka prezantuar këtë model me synimin për ta bërë konsolën më të përballueshme për konsumatorët japonezë, në një periudhë kur rritja e çmimeve ka ndikuar në tregun e pajisjeve për lojëra.
PS5 Midnight Black do të ketë hapësirë të brendshme SSD prej 825 GB. Megjithëse është projektuar kryesisht për lojërat digjitale, përdoruesit do të mund të blejnë veçmas një lexues disqesh në të njëjtën ngjyrë, nëse dëshirojnë të luajnë edhe lojëra fizike.
Lexuesi i disqeve do të dalë në shitje po ashtu më 19 nëntor, me çmim prej 11.980 jenësh, rreth 68 euro.
Edhe pse versioni i plotë i konsolës në këtë ngjyrë do të shitet vetëm në Japoni, përdoruesit në tregjet perëndimore mund ta pajisin PS5-në e tyre me mbështjellës zëvendësues Midnight Black dhe kontrollues DualSense në të njëjtën ngjyrë. /Telegrafi/





