Aplikacionet e krijuara me ndihmën e Inteligjencës Artificiale tanimë po sfidojnë edhe kompanitë e mëdha të teknologjisë, duke ofruar alternativa falas ndaj programeve të njohura si Photoshop, Microsoft Word, Excel dhe PowerPoint.
Brandon Thomas, një zhvillues softuerësh i njohur në Reddit me emrin u/ai_art_is_art, ka krijuar projektin ArtCraft, që përfshin një sërë aplikacionesh të ngjashme me programet e Adobe Creative Suite, por që ofrohen falas dhe me kod të hapur, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Në mesin e tyre janë PhotoCraft, FilmCraft, DesignCraft dhe EffectCraft, të cilat synojnë të ofrojnë funksione të ngjashme me Photoshop, Premiere Pro dhe After Effects.
Por Thomas ka zgjeruar projektin edhe në programet e zyrës, duke prezantuar WordCraft, DeckCraft dhe GridCraft, alternativa përkatësisht për Microsoft Word, PowerPoint dhe Excel.
Megjithatë, projektet kanë nxitur debat në internet lidhur me sigurinë e kodit të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, etikën e përdorimit të saj dhe faktin se një zhvillues i vetëm po mbikëqyr një numër të madh aplikacionesh.
Përkrahësit e projektit e shohin atë si një “alternativë” ndaj modeleve me abonim të kompanive të mëdha.
Sidoqoftë, ende nuk dihet nëse këto aplikacione do të arrijnë të fitojnë përdorues në afat të gjatë.
Megjithatë, zhvillimi i tyre ka rihapur debatin nëse Inteligjenca Artificiale mund të ndryshojë tregun e softuerëve dhe të sfidojë programet tradicionale me pagesë. /Telegrafi/





