Data 30 shtator është kyçe për të ardhmen e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, pasi Komisioni Evropian pritet të publikojë raportin për qasjen e re ndaj zgjerimit, deklaroi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Në një intervistë për televizionin Kanal 5, Siljanovska-Davkova tha se më 30 shtator Komisioni Evropian do të prezantojë për herë të parë modelin sipas të cilit do të zhvillohet procesi i mëtejshëm i zgjerimit, ndërsa në tetor për të njëjtat çështje do të diskutojë edhe Këshilli Evropian.
“Janë pikërisht këto momente që janë të rëndësishme për ne, në mënyrë që të procedojmë hapat që janë të mundshëm dhe që po dakordohen”, theksoi presidentja.
Duke folur për marrëdhëniet me Bullgarinë, ajo tha se pas kontakteve të fundit me presidentin bullgar Rumen Radev sheh hapësirë për intensifikimin e dialogut dhe kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta.
“Përfundimi është se nevojitet shumë përpjekje dhe shumë vullnet i mirë që të ecim përpara. Duhet të investojmë së bashku për të arritur deri te një zgjidhje”, u shpreh Siljanovska-Davkova.
Ajo theksoi se Bullgaria në çështjet e politikës së jashtme paraqitet e unifikuar, pavarësisht dallimeve politike.
“Ne jemi vërtet një fenomen interesant, ndryshe nga Bullgaria, e cila kudo paraqitet me një zë, madje edhe kur nuk ka të drejtë”, tha presidentja.
Sa i përket procesit eurointegrues, Siljanovska-Davkova vlerësoi se ndryshimet kushtetuese në vetvete nuk janë garanci se nuk do të shfaqen pengesa të reja në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Sipas saj, burimi i bllokadave të mundshme në të ardhmen është Protokolli i Dytë ndërmjet Shkupit dhe Sofjes, dispozitat e të cilit janë përfshirë në kornizën negociuese dhe në konkluzionet e BE-së.
“Rruga sigurisht që do të hapet për një moment, por më pas do të shfaqet një pengesë e re. Duhet të eliminohet burimi i pengesave, e ai është Protokolli 2”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Ajo përsëriti se Maqedonia e Veriut angazhohet për një zgjidhje që do të parandalonte bilateralizimin e procesit eurointegrues dhe vlerësoi se Bashkimi Evropian ka mekanizma për të penguar bllokadat e bazuara në çështje identitare.
Presidentja theksoi se askush nuk mund të garantojë se në të ardhmen nuk do të ketë një veto të re nga ndonjë shtet anëtar, por se BE-ja mund të vendosë rregulla sipas të cilave procesi i integrimit evropian nuk do të pengohet nga çështje që nuk lidhen me kriteret për anëtarësim.
Ajo shtoi se vendi mbetet i përkushtuar ndaj agjendës reformuese dhe është i gatshëm të ndjekë ritmin e shteteve që po avancojnë më shpejt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.






