Pas degëve të Pejës dhe Lipjanit, edhe Dega II e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se LDK-ja po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj.
Në një deklaratë publike, kjo degë shprehet se Kosova po përballet me sfida të mëdha politike dhe se LDK-ja po humb peshën e saj politike pas humbjeve të njëpasnjëshme zgjedhore.
“Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese”, thuhet në deklaratë.
Sipas Degës II, situata aktuale kërkon reflektim të thellë dhe marrje përgjegjësie nga të gjitha strukturat e partisë, por theksohet se përgjegjësia kryesore për rezultatet zgjedhore ka një adresë të qartë.
“Në këtë moment, askush nuk duhet ta përjashtojë veten nga përgjegjësia. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të japim llogari para anëtarësisë dhe qytetarëve. Megjithatë, adresa kryesore e humbjes së tri palë zgjedhjeve të fundit dihet qartë dhe saktë”, thuhet më tej.
Në deklaratë kritikohet edhe qasja ndaj zërave kritikë brenda partisë, duke kërkuar më shumë demokraci të brendshme dhe respekt për mendimet ndryshe.
“Kërkesa për llogaridhënie nuk është armiqësi ndaj partisë, por përkushtim ndaj saj”, thekson Dega II.
Në fund, dega falënderon Abdixhikun për kontributin e tij, por kërkon largimin e tij nga drejtimi i partisë.
“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”, thuhet në deklaratë.
Dega II kërkon gjithashtu hapjen e një procesi demokratik për zgjedhjen e një lidershipi të ri, duke vlerësuar se partia ka nevojë për “energji të reja, lidership të ri dhe struktura të rifuqizuara” për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe frymën fituese të dikurshme. /Telegrafi/






