“Shkoja në kazino, në skedina – babai mu ul në gjunjë”, Rogerti tregon sa qindra mijëra euro ka humbur në bixhoz

Magazina

Pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, Rogert Sterkaj ka thyer heshtjen në një intervistë ekskluzive televizive, ku ka rrëfyer hapur disa prej kapitujve më të vështirë të jetës së tij. Në një rrëfim “360 gradë”, ai foli për gjithçka: nga emigrimi, tek sfidat personale, varësia nga lojërat e fatit, e deri te […]

Madhësia e shkronjave

Pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri, Rogert Sterkaj ka thyer heshtjen në një intervistë ekskluzive televizive, ku ka rrëfyer hapur disa prej kapitujve më të vështirë të jetës së tij. Në një rrëfim “360 gradë”, ai foli për gjithçka: nga emigrimi, tek sfidat personale, varësia nga lojërat e fatit, e deri te përjetimi i tij në Big Brother VIP.

Një nga pjesët më të forta të intervistës ishte momenti kur Rogerti u ndal te varësia nga lojërat e fatit, duke pranuar se gjatë viteve ka humbur shuma marramendëse – deri në miliona euro.

“Çdo lekë që fitoja, se fitoja goxha lekë në fund të fundit… edhe çdo lekë, sa e fitoja, për gjysmë ore e humbja. Shkoja në kazino, në skedina…”, u shpreh ai. I pyetur drejtpërdrejt se sa para ka humbur në total, Rogerti tha: “Tani llogarite… mund të them miliona euro! Miliona euro mund të kem humbur unë gjatë viteve”.

Ai pranoi gjithashtu se një nga gabimet më të mëdha të jetës së tij ka qenë fakti që, në kulmin e këtij vesi, ka prekur edhe kursimet e prindërve. “Pastaj fillova duke ngacmuar edhe kursimet e tyre, që është ndër gabimet më të mëdha që kam bërë në jetën time”, tregoi ai, duke përshkruar me emocione një moment të dhimbshëm familjar.

Sipas tij, babai ishte futur në borxhe dhe kishte përjetuar një situatë të rëndë, deri në atë pikë sa kishte qarë dhe ishte ulur në gjunjë për një borxh prej 10 mijë eurosh.

“Ka hyrë baba jem në borxh, më ka qajt baba, më është ulur në gjunjë për 10 mijë euro që i kisha borxh një kompanie… Kur kam parë babën tu qajt… se mora 10-çen për ta fut në bankë, unë s’e futa në bankë, shkova e harxhova. Aty kam thënë: ky është fundi për mua!”, rrëfeu ai.

Kur u pyet nëse ka frikë se mund t’i rikthehet sërish këtij vesi, Rogerti tha se ka ende kujdes dhe frikë, por tani motivimi më i madh për ta menaxhuar është djali i tij. “Po patjetër… janë momente shumë të errëta. Nuk kam qejf të kthehem aty. Pse? Se nuk du me humb djalin! Djali është ai që më ka ndryshuar jetën mua”, u shpreh ai.

Ai theksoi se frika e humbjes së familjes, sidomos e djalit, e mban larg rikthimit te lojërat e fatit. “Po humba gruan, humb djalin… s’du me humb djalin”, përfundoi Rogert Sterkaj.

Rrëfimi i tij është pritur me interes të madh nga publiku, ndërsa shumë ndjekës e kanë vlerësuar për sinqeritetin dhe për mënyrën se si e pranoi një nga betejat më të vështira personale. /Telegrafi/