Drejtori ekzekutiv i Ligës Premier, Richard Masters, ka reaguar pas vendimit të Komisionit në lidhje me çështjen disiplinore ndaj Manchester Cityt, duke e cilësuar atë si një nga rastet më të rëndësishme në historinë e kampionatit anglez.
Masters tha se vendimi kryesor përcakton faktet lidhur me atë që ka ndodhur te Manchester City, duke pretenduar se klubi “ka shkelur sistematikisht rregullat e Ligës Premier për gati një dekadë”.
Sipas tij, vendimi gjithashtu e mbështet qëndrimin e Ligës Premier për ndjekjen e kësaj çështjeje ndaj kampionit anglez, pavarësisht procesit të gjatë dhe kompleks.

“Vendimi kryesor përcakton faktet e asaj që ka ndodhur te Manchester City. Ai detajon se si klubi ka shkelur sistematikisht rregullat e Ligës Premier për gati një dekadë”, deklaroi Masters.
Ai theksoi se një nga përgjegjësitë kryesore të Ligës Premier është garantimi i respektimit të rregullave të miratuara nga vetë klubet, me qëllim mbrojtjen e integritetit të garës.
“Është thelbësore që liga të mbetet konkurruese dhe e drejtë për të gjitha klubet dhe tifozët. Ne e marrim këtë rol jashtëzakonisht seriozisht”, shtoi ai.
Masters e përshkroi këtë proces disiplinor dhe vendimin si “më të rëndësishmit në historinë e Ligës Premier”, ndërsa bëri të ditur se ende nuk janë përcaktuar të gjitha aspektet e çështjes.
“Ka elemente të çështjes që ende duhet të vendosen, përfshirë, më e rëndësishmja, se çfarë sanksioni duhet të pasojë”, tha kreu i Ligës Premier.
Në fund, Masters deklaroi se Liga Premier synon të ecë shpejt me pjesën e mbetur të procesit, në mënyrë që të krijohet qartësi për ligën, klubet dhe tifozët./Telegrafi/





