SHBA-ja përfundon edhe zyrtarisht misionin në Irak

Bota

Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se e kanë “përfunduar zyrtarisht” misionin e tyre kundër ekstremistëve në Irak, pas tërheqjes së trupave nga baza ajrore e Erbilit në rajonin e Kurdistanit. Pas më shumë se një dekade, koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja njoftoi përfundimin e operacionit për luftimin e ISIS-it në Irak dhe në Sirinë […]

Madhësia e shkronjave

Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se e kanë “përfunduar zyrtarisht” misionin e tyre kundër ekstremistëve në Irak, pas tërheqjes së trupave nga baza ajrore e Erbilit në rajonin e Kurdistanit.

Pas më shumë se një dekade, koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja njoftoi përfundimin e operacionit për luftimin e ISIS-it në Irak dhe në Sirinë fqinje.

Grupi, i cili kishte pushtuar territore të gjera në të dyja vendet dhe kishte kryer masakra e mizori, u mund në Irak në vitin 2017 dhe në Siri në vitin 2019, por forcat e koalicionit qëndruan për të luftuar mbetjet e grupit.

“Sot, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë të koalicionit përfunduan zyrtarisht ‘Operation Inherent Resolve’ në Irak, në përputhje me deklaratën e përbashkët SHBA-Irak të shtatorit 2024 dhe interesat kombëtare të SHBA-së”, tha në një deklaratë zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Sean Parnell.

“Largimi i rregullt i forcave dhe pajisjeve të koalicionit nga baza ajrore e Erbilit shënon përfundimin e suksesshëm të misionit ushtarak që mundi ISIS-in në Irak”, tha më tej ai, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Bagdadi dhe Uashingtoni ranë dakord në vitin 2024 për të reduktuar misionin e koalicionit dhe trupat e tij u tërhoqën gradualisht nga bazat në të gjithë vendin, duke e kufizuar praninë e tyre në rajonin autonom verior të Kurdistanit.

Qeveria irakiane beson se tërheqja e koalicionit eliminon pretekstin që fraksionet e fuqishme militante të mbështetura nga Irani kanë përdorur për të mbajtur armët e tyre.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi në një deklaratë se Combined Joint Task Force-Operation Inherent Resolve (CJTF-OIR) mbetet operacionale dhe tani e ka selinë në Jordani, ndërsa forcat amerikane vazhdojnë misionin kundër ISIS-it në Siri së bashku me partnerët e koalicionit dhe qeverinë siriane.

“Punë e shkëlqyer nga dhjetëra mijëra pjesëtarë të shërbimit amerikan, diplomatë dhe personel civil që iu përgjigjën thirrjes në Irak”, theksoi Admirali Brad Cooper, komandant i CENTCOM-it.

“Falë vendosmërisë, sakrificës dhe profesionalizmit tuaj, ISIS-i nuk përbën më një kërcënim sistematik për sigurinë kombëtare të Irakut dhe forcat e sigurisë irakiane – përfshirë Peshmergën dhe forcat e tjera të sigurisë së Rajonit të Kurdistanit të Irakut – tani zotërojnë kapacitetin, udhëheqjen dhe pavarësinë operacionale për të menaxhuar në mënyrë të pavarur kërcënimet ndaj atdheut të tyre”.

E vendosur në Irakun verior, Baza Ajrore e Erbilit shërbeu si qendra kryesore operacionale për CJTF-OIR dhe strehoi pjesën më të madhe të 1.500 trupave amerikane dhe të Koalicionit që mbështesnin operacionet kundër ISIS-it.

“Ndërsa ne tërhiqemi dhe ia kalojmë përgjegjësinë e plotë parësore për sigurinë e Irakut qeverisë dhe popullit të guximshëm irakian, forcat amerikane dhe ato të Koalicionit të stacionuara në rajon do të mbeten të gatshme për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi nga ISIS-i që mund të shfaqet”, ka thënë më tej Cooper. /Telegrafi/