Laura Gashi është një nga futbollistet me prejardhje shqiptare që po ndërton karrierën e saj në futbollin norvegjez, ku tashmë ka lënë gjurmë me paraqitjet për AaFK Kvinner.
Ajo në një intervistë të gjatë për Telegrafin ka shpjeguar se si nisi karriera, vështirësitë e kaluara dhe objektivat e të ardhmes, derisa foli edhe për mundësinë që të përfaqësojë Kosovën ose Shqipërinë meqenëse deri më tani ka luajtur për vetëm për Norvegjinë U23.
Sot, Gashi ka arritur në një pikë të rëndësishme të karrierës së saj, me 175 paraqitje zyrtare në futbollin norvegjez. Vetëm gjatë periudhës 2024-2026, ajo ka regjistruar 62 paraqitje dhe nëntë gola për AaFK Kvinner, duke u shndërruar në një prej lojtareve të rëndësishme të ekipit.
Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të Gashit për Telegrafin:
Pyetje: Na trego për rrugëtimin tënd nga Tiller deri te aktivizimi për AaFK Kvinner?
“Dashuria ime për futbollin nisi në një moshë shumë të re, si emigrante në një vend të ri, ku gjithçka ishte e panjohur dhe e frikshme. Pikërisht aty shikoja vëllain tim të madh, Aliun, me topin në këmbë çdo ditë dhe pasioni i tij shumë shpejt kaloi edhe te unë. Ai ishte dhe vazhdon të jetë dikush që e kam pasur gjithmonë si shembull”.
“Babai im e kuptoi shpejt talentin dhe potencialin që kishim të dy dhe aty nisi rrugëtimi. Që nga ajo kohë e deri aty ku jam sot, ka qenë një rrugë e gjatë, e mbushur me shumë pengesa, por edhe me shumë momente të bukura, me momente gëzimi, por edhe zhgënjimi, mësimi dhe zhvillimi”.
“Nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por ka qenë një rrugëtim jashtëzakonisht i vlefshëm dhe edukues, të cilin nuk do ta ndërroja me asgjë. Gjatë rrugës kam mësuar shumë për veten, jo vetëm si individ, por edhe si sportiste”.
Pyetje: Tani ke zhvilluar 175 paraqitje zyrtare në futbollin norvegjez. Çfarë do të thotë për ty arritja e këtij rekordi?
“Sigurisht që është diçka shumë e veçantë për mua, sepse kam nisur të luaj futboll kur isha vetëm një vajzë e vogël. Kam kaluar orë të panumërta në fushën e futbollit me vëllain tim dhe babanë tim, Tahirin, e më vonë edhe me motrën time të vogël, Rilindën”.
“Shpesh darkën e hanim pikërisht në fushë, ndërsa nëna ime, Fetija, ishte gjithmonë aty për të na mbështetur dhe për t’u siguruar që të mund të vazhdonim të luanim për aq gjatë sa dëshironim”.
“Prandaj, të jem sot këtu me kaq shumë ndeshje të zhvilluara është diçka jashtëzakonisht e veçantë. Ajo që e bën edhe më emocionuese është fakti se e di që kam ende shumë ndeshje dhe shumë vite përpara”.
“Edhe pse ky është një tjetër rekord që tashmë mund ta shënoj si të arritur, ende kam një rrugë të gjatë përpara. Ka shumë rekorde dhe objektiva të tjera që dua t’i arrij para se një ditë t’i var këpucët e futbollit në gozhdë”.
Pyetje: Gjatë periudhës 2024-2026, ke zhvilluar 62 paraqitje dhe ke shënuar nëntë gola për AaFK. Si do ta përshkruaje këtë periudhë të karrierës?
“Kjo ka qenë një pikë shumë e rëndësishme në karrierën time, një periudhë gjatë së cilës kam fituar shumë vetëbesim dhe kam bërë hapa të rëndësishëm përpara”.
“Gjithmonë kam qenë një lojtare që krijon raste dhe që kënaqet duke i bërë më të mira edhe lojtaret përreth meje, por gjatë kësaj periudhe kam arritur të kontribuoj më shumë edhe vetë me gola dhe asistime”.
“Kam marrë shumë besim nga trajnerët e mi dhe kjo më ka ndihmuar të bëhem më e sigurt dhe më komode në rolin që kam si futbolliste”.
“Gjatë kësaj periudhe kam bërë hapa të mëdhenj përpara dhe kam zhvilluar aspekte të ndryshme të lojës sime, ndërsa jam bërë edhe më e pjekur, si futbolliste dhe si person. Padyshim, do të thosha se kjo periudhë më ka dhënë shumë dhe ndoshta ka qenë periudha më e rëndësishme e karrierës sime deri tani”.
Pyetje: Alesund Kvinner ka arritur për herë të parë në histori të klubit finalen e Kupës së Norvegjisë. Çfarë do të thotë kjo arritje për ty dhe ekipin?
“Është një ndjenjë e papërshkrueshme. Është diçka për të cilën klubi dhe të gjitha ne vajzat kemi punuar jashtëzakonisht shumë çdo ditë, për disa vite”.
“Më në fund të jesh në skenën e madhe dhe të kesh mundësinë të luash në një finale të Kupës është absolutisht e jashtëzakonshme. Për shumë prej nesh, duket sikur një ëndërr është bërë realitet”.
“Kemi parë yje të tjerë të kenë mundësinë të luajnë në ndeshje të tilla dhe tani më në fund është radha jonë. Jemi jashtëzakonisht të emocionuara dhe mezi presim”.
Pyetje: Më 6 shtator do të kesh mundësinë të jesh pjesë e një momenti historik për klubin. Sa e emocionuar je për finalen?
“Jam shumë e emocionuar, por mbi të gjitha mezi po e pres. Është një objektiv për të cilin kam punuar jashtëzakonisht shumë për ta arritur dhe fakti që më në fund do të luajmë në një finale të Kupës ndihet si një shpërblim për gjithë punën e madhe që kemi bërë”.
“Deri në finale, gjithçka ka të bëjë me ruajtjen e qetësisë dhe përqendrimin në çdo seancë stërvitore dhe çdo ndeshje, njëra pas tjetrës”.
“Edhe pse mendimi për të luajtur në finalen e Kupës do të jetë gjithmonë diku në pjesën e pasme të mendjes sime deri në ditën kur më në fund do të dalim në fushë, e di se duhet të qëndrojmë të fokusuara te momenti. Në përgjithësi, megjithatë, ndiej vetëm emocion dhe gëzim”.
Pyetje: Nëse do të shënoje golin e fitores në finale, ku do të renditej ai moment në karrierën tënde?
“Padyshim që do të renditej shumë lart në mesin e momenteve më të bukura të karrierës sime, edhe pse tashmë kam përjetuar shumë gjëra, përfshirë ngjitje në kategori dhe momente të tjera të paharrueshme”.
“Ndjenja e të shënuarit një gol në një ndeshje të tillë është diçka vërtet e pabesueshme, kështu që do të ishte absolutisht fantastike. Dhe sigurisht që nuk do ta përjashtoja mundësinë për të shënuar një gol të tillë vetë”.
Pyetje: Si lojtare me prejardhje shqiptare, a ke pasur ndonjëherë kontakte me federatat e futbollit të Kosovës apo Shqipërisë?
“Po, kam pasur dhe ka pasur interesim, gjë që mendoj se është shumë emocionuese”.
“Futbolli në Shqipëri dhe Kosovë po rritet dhe po ecën në drejtimin e duhur, ndërsa ende ka shumë potencial për zhvillim të mëtejshëm. Përparimi që po bëhet atje është fantastik dhe shpresoj që të vazhdojë, sepse i kanë të gjitha bazat e nevojshme për të bërë hapin e radhës”.
“Deri tani, kam përfaqësuar Norvegjinë në nivelet e të rinjve nga U16 deri te U23 dhe ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Por se çfarë do të vendos të bëj në të ardhmen, këtë do ta tregojë koha”.
Pyetje: Çfarë këshille do t’u jepje vajzave të reja me prejardhje shqiptare që ëndërrojnë të bëhen futbolliste profesioniste?
“Për mua, gjëja më e rëndësishme ka qenë të besoj te vetja dhe te aftësitë e mia. Por po aq e rëndësishme, nëse jo edhe më shumë, ka qenë arsyeja pse jam aty ku jam sot: mbështetja e jashtëzakonshme që kam marrë nga familja ime që kur isha e vogël”.
“Do të ketë periudha jashtëzakonisht të vështira, kur do të ndihesh sikur thjesht dëshiron të heqësh dorë dhe të dorëzohesh”.
“Por nëse ke disiplinën, mbështetjen e njerëzve më të afërt dhe mentalitetin për t’i kaluar ato pengesa, fillon të ndihesh e pathyeshme”.
“Bëhesh më e fortë dhe më e përgatitur për t’i përballuar pengesat e radhës. Dhe besoj se kjo vlen për jetën në përgjithësi. Për sa kohë që ke atë shkëndijë brenda vetes për ta bërë realitet dhe vazhdon të luftosh gjatë periudhave të vështira, gjithçka është e mundur”./Telegrafi/






