Rriten rastet me fruth në Kosovë, 21 vetëm gjatë javës së fundit

Nacionale

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth gjatë periudhës 16 prill deri më 3 gusht 2026. Sipas të dhënave të IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar rritje të rasteve me këtë sëmundje infektive. Numri […]

Madhësia e shkronjave

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth gjatë periudhës 16 prill deri më 3 gusht 2026.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar rritje të rasteve me këtë sëmundje infektive.

Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë, me 33 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 25, Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me shtatë raste.

Nga tri raste janë raportuar në Drenas, Lipjan dhe Obiliq, ndërsa nga dy raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime dhe Vushtrri.

Nga një rast është raportuar në Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

IKShPK ka bërë të ditur se numri i rasteve këtë vit është më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin konfirmuar 65 raste.

“Ndërsa në periudhën 2021–2024 janë regjistruar gjithsej vetëm tre raste me fruth, të cilat kanë qenë raste të importuara”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta të fruthit të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

“Çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”, rekomandon IKShPK.

Duke marrë parasysh shkallën e lartë të infektueshmërisë së fruthit dhe rrezikun e përhapjes në komunitet, IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve.

Instituti rekomandon që fëmijët të vaksinohen sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.

“Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thekson IKShPK. /Telegrafi/