Përforcimi kryesor i Barcelonës në afatin kalimtar të verës, Rodri, ka zbuluar prapaskenat e interesimit të madh nga Real Madridi para se të vendoste për transferimin në Kataloni.
Mesfushori spanjoll ka treguar se Jose Mourinho e kishte kontaktuar personalisht në përpjekje për ta bindur që të zgjidhte Santiago Bernabeun në vend të Camp Nout.
Rodri bëri të ditur se Mourinho kishte komunikuar drejtpërdrejt me të për t’i shpjeguar vizionin që kishte për të në kryeqytetin spanjoll. Mesfushori u shpreh i befasuar që detajet e kësaj bisede private ishin bërë publike, por theksoi se e kishte vlerësuar interesimin e trajnerit portugez.
Pavarësisht interesimit të Real Madridit, Rodri tha se ishte i bindur për projektin sportiv të Barcelonës. Megjithatë, për shkak të respektit që ka për Mourinhon dhe karrierën e tij, ai e pa të arsyeshme të ruante një raport korrekt me të.
“Epo, nuk mendoj se është vendi im të zbuloj një bisedë private, por sigurisht që ai shprehu dëshirën e tij që unë të shkoja dhe atë që mund t’i kontribuoja ekipit”, ka thënë Rodri për Mundo Deportivo.
“Trajtimi ishte shumë i mirë. Kur mora vendimin, edhe unë e telefonova për ta falënderuar për interesimin dhe mënyrën se si më trajtoi”.
“Mendoj se është një trajner fantastik. Ai e ka dëshmuar tashmë këtë kudo që ka punuar gjatë periudhave të tij të suksesshme dhe Real Madridi do të jetë një rival i vështirë në këtë ligë”, përfundoi ai./Telegrafi/






