Real Madridi ka rikthyer interesimin për mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri, pas paraqitjeve mbresëlënëse të tij në Kupën e Botës 2026.
Sipas gazetarit Sergio Valentin, drejtuesit e klubit madrilen kanë ndryshuar qëndrim ndaj reprezentuesit spanjoll. Më herët ata kishin rezerva për shkak të moshës, profilit dhe çmimit të lartë të kartonit të tij, por forma e shkëlqyer në Botëror ka bërë që Rodri të rikthehet në krye të listës së objektivave.
Një rol të rëndësishëm në këtë vendim ka pasur edhe trajneri Jose Mourinho, i cili i ka kërkuar drejtuesve të klubit transferimin e një mesfushori me karakteristika si ato të Rodrit.
Tekniku portugez dëshiron një futbollist që mund të kontrollojë ritmin e lojës dhe t’i japë më shumë stabilitet ekipit, një profil që sipas tij mungon aktualisht në mesfushën e Real Madridit.
Nga ana tjetër, raportohet se vetë Rodri mbetet i interesuar për një transferim në “Santiago Bernabeu”. Mesfushori spanjoll ka shprehur edhe më parë admirimin për Real Madridin dhe dëshirën për të veshur fanellën e klubit madrilen.
Megjithatë, Manchester City nuk dëshiron ta humbasë një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm. Klubi anglez synon t’ia zgjasë kontratën Rodrit, e cila skadon verën e ardhshme.
Pas përfundimit të Kupës së Botës, 30-vjeçari pritet të zhvillojë një takim me drejtorin sportiv të Cityt, Hugo Viana, si dhe me trajnerin Enzo Maresca, për të diskutuar të ardhmen e tij.
Para kësaj, Rodri do të udhëheqë Spanjën si kapiten në finalen e Kupës së Botës kundër Argjentinës, ku synon ta mbyllë turneun me një tjetër paraqitje të madhe./Telegrafi/






