Rikthehet uji i pijshëm në Breznicë, NP “Komunalia” falënderon ekipet për punën në terren

Vendore

Ndërmarrja Publike “Komunalia” në Bujanoc ka njoftuar zyrtarisht sanimin e havarisë në rrjetin kryesor të ujësjellësit në fshatin Breznicë, duke i hapur rrugë stabilizimit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj zone të Malësisë. Sipas informacionit të zyrtarizuar nga personi përgjegjës i këtij dikasteri, Nazmi Duraku, pas një angazhimi intensiv të ekipeve […]

Madhësia e shkronjave

Ndërmarrja Publike “Komunalia” në Bujanoc ka njoftuar zyrtarisht sanimin e havarisë në rrjetin kryesor të ujësjellësit në fshatin Breznicë, duke i hapur rrugë stabilizimit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e kësaj zone të Malësisë. Sipas informacionit të zyrtarizuar nga personi përgjegjës i këtij dikasteri, Nazmi Duraku, pas një angazhimi intensiv të ekipeve teknike në terren, gypi kryesor i dëmtuar gjatë punimeve në segmentin rrugor Breznicë – Muhovc është riparuar plotësisht. Menaxhmenti i ndërmarrjes ka shprehur mirënjohje për punonjësit e angazhuar në sanimin e këtij problemi teknik, duke theksuar se institucioni përmbushi zotimin për ndërhyrje të shpejtë në momentin e alarmimit të situatës.​Nga ana tjetër, pas lëshimit të sistemit, banorët e fshatit kanë raportuar një shtypje fillestare të dobët të ujit nëpër rrjetet shtëpiake. Lidhur me këtë, zyrtarët teknikë kanë sqaruar se ky është një reaksion i pritshëm pas ndërprerjes katërditore, pasi gypat dhe bazenet kryesore të grumbullimit ishin zbrazur tërësisht, andaj nevojitet një kohë e caktuar fizike që rezervuarët të mbushen në kapacitet të plotë për të rikthyer presionin normal në rubinete.​Nonse përfundimi i suksesshëm i këtij sanimi dhe rikthimi i ujit është mirëpritur me lehtësim nga komuniteti lokal, ky rast ka riaktualizuar nevojën për një mbikëqyrje më të rreptë dhe koordinim më të mirë institucional gjatë realizimit të projekteve kapitale. Komuniteti vlerëson rëndësinë e madhe të investimit në rrugën Breznicë – Muhovc që po realizohet nga qeverisja lokale, mirëpo thekson se projektet e rrugëve nuk duhet të zhvillohen duke cenuar shërbimet primare ekzistenciale. Ky dëmtim i përsëritur i rrjetit të ujësjellësit shtron nevojën që kompanitë e kontraktuara ndërtimore të pajisen me planet e detajuara të instalimeve nëntokësore dhe të tregojnë kujdes më të lartë profesional në të ardhmen, me qëllim që të shmangen avari të ngjashme që dëmtojnë buxhetin komunal dhe u shkaktojnë vështirësi administrative qytetarëve./BujanociNet/