Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjë e Hercegovinës (CIK) publikoi rezultatet preliminare nga 80 për qind e qendrave të votimit.
Për Presidencën e BeH-së kryesojnë Denis Beqiroviq (164.369), Darijana Filipoviq (92.854) dhe Zheljka Cvijanoviq (213.812), ndërsa për president të entitetit të Republikës Sërpska kryeson Savo Miniq (202.245).
Për herë të parë në historinë e pasluftës së Bosnjë e Hercegovinës, rezultatet e para preliminare të votimit u publikuan një orë pas mbylljes së qendrave të votimit, ndërsa skanerët e fletëvotimeve e kryen punën pa kaluar në numërimin manual.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjë e Hercegovinës, Jovan Kalaba, në një konferencë për media bëri të ditura rezultatet e para preliminare të zgjedhjeve, të marra përmes transmetimit nga skanerët elektronikë të fletëvotimeve, bazuar në rreth 80 për qind të qendrave të votimit të përpunuara.

Kalaba theksoi se procesi i votimit me përdorimin e skanerëve elektronikë u zhvillua me sukses dhe se në asnjë qendër votimi nuk është regjistruar kalim në mënyrën manuale, tradicionale të numërimit të votave.
“Ne morëm konfirmim nga të gjitha komisionet komunale dhe të qyteteve të zgjedhjeve se nuk pati kalim në votimin tradicional. Kjo do të thotë se skanerët e kryen pjesën e tyre të punës për të cilën i kishim caktuar”, deklaroi Kalaba.
Për shkak të vonesave në hapjen e disa qendrave të votimit në mëngjes ose ndërprerjeve gjatë ditës, disa qendra e zgjatën punën deri në orën 22:00, ndërsa CIK-u udhëzoi që t’u mundësohet votimi të gjithë votuesve që në momentin e mbylljes së qendrave ndodheshin në radhë.
Presidenca e BeH-së: Kryesojnë Beqiroviq, Filipoviq dhe Cvijanoviq
Pas përpunimit të rreth 80 për qind të qendrave të votimit, për anëtarin boshnjak të Presidencës së BeH-së kryeson Denis Beqiroviq (Të bashkuar për shtetin e BeH-së) me 164.369 vota, përpara kandidatit të Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq, i cili ka 148.036 vota. Semir Efendiq nga Partia për Bosnjë dhe Hercegovinën (SBiH) ka marrë 110.530 vota, ndërsa Fahrudin Radonçiq (Unioni për të Ardhme më të Mirë – SBB) ka marrë 9.320 vota.
Për anëtarin e Presidencës së BeH-së nga radhët e popullit kroat kryeson Darijana Filipoviq (Unioni Demokratik Kroat i BeH-së – HDZBeH) me 92.854 vota, e ndjekur nga Slaven Kovaçeviq (Fronti Demokratik – DF) me 55.475 vota dhe kandidati i pavarur Zdenko Luçiq me 44.345 vota.
Në garën për anëtarin e Presidencës së BeH-së nga radhët e popullit serb kryeson Zheljka Cvijanoviq (Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur – SNSD) me 213.812 vota. Marinko Bozhoviq (Partia Demokratike Serbe – SDS) ka marrë 102.877 vota, ndërsa Nebojsha Vukanoviq (Për drejtësi dhe rend) 67.707 vota.
Në garën për president dhe zëvendëspresidentë të entitetit të Republikës Srpska kryeson kandidati i SNSD-së, Savo Miniq, me 202.245 vota, përpara Branko Blanushës (SDS), i cili ka 160.936 vota. Ramiz Salkiq (SDA) ka marrë 6.740 vota, ndërsa Qamil Durakoviq 4.413 vota.
Për Parlamentin e BeH-së nga Federata e BeH-së numrin më të madh të votave e ka marrë SDA-ja (186.675), e ndjekur nga SDP BeH-ja (91.886) dhe koalicioni HDZ BeH – HS (83.834), Partia për Bosnjë e Hercegovinën (51.356), “Popull dhe Drejtësi” (39.535) dhe Zheljko Komshiq – Për një shtet qytetar (36.976).
Nga Republika Srpska për parlamentin shtetëror kryeson SNSD-ja (151.032), përpara Lëvizjes “Srpska e Sigurt” të Drashko Stanivukoviqit (53.448) dhe SDS-së (50.328).
Në Parlamentin e Federatës së BeH-së kryeson SDA-ja me 180.970 vota, e dyta është SDP BeH-ja me 90.327, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga HDZ BeH-ja ka 86.922 vota. Partia për Bosnjë e Hercegovinën ka marrë 52.671 vota.
CIK-u njoftoi se rezultatet e përditësuara do të publikohen vazhdimisht në faqen zyrtare të internetit “izbori.ba”. /AA/





