Në një kohë kur aftësia për të lexuar, kuptuar dhe analizuar një tekst po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në procesin e edukimit, aktivitetet që e afrojnë fëmijën me librin në mënyrë kreative po shihen si një mënyrë për ta nxitur interesimin për leximin.
Libri dhe loja u bënë bashkë në një aktivitet të veçantë për nxënësit e klasave të gjashta, në Qendrën e Zhvillimit “Agim Lluka”, ku po mbahet promovimi i lektyrave shkollore nga shtëpia botuese “Dukagjni”.
Në aktivitet morën pjesë nxënës nga shkollat fillore “Mehmet Gjevori”, “Ismail Qemaili”, “Meto Bajraktari”, “Xhemajl Mustafa” dhe “Elena Gjika”.
Përmes leximit dhe aktiviteteve interaktive, nxënësit u njohën më nga afër me dy vepra letrare, “Kopshti sekret” të Frances Burnett dhe “Oliver Tuist” të Charles Dickensit.
Por këtë herë, libri nuk u shpjegua vetëm përmes bankave dhe faqeve të tij.
Nxënësit u përfshinë në një mini “Escape room”, ku përmes puzzleve, pyetjeve dhe sfidave të ndryshme duhej të zbulonin temat dhe elementet kryesore të veprave.
Qëllimi ishte që nxënësit të mos mjaftohen vetëm me leximin e një teksti, por të kuptojnë përmbajtjen, të nxjerrin përfundime, të argumentojnë dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.
Pikërisht këto aftësi – të kuptuarit e asaj që lexohet dhe aftësia për ta interpretuar informacionin – mbeten një prej sfidave të rëndësishme në arsimin e sotëm.
Prandaj, aktivitete të tilla synojnë që leximi të mos shihet vetëm si detyrë shkollore, por si një aftësi që fëmijëve u shërben edhe përtej klasës.
Dhe duket se nxënësit e kanë pritur mirë këtë qasje.
Njëri prej tyre tregon se për “Oliver Tuistin” kishte njohuri paraprake, duke veçuar historinë e një fëmije pa familje, i cili përballet me vështirësi dhe përfshihet në një shoqëri të keqe.
Për disa nxënës, leximi tashmë është bërë pjesë e përditshmërisë.
“Unë i kam lexuar pesë libra”, tregoi njëri prej tyre, duke shtuar se përmes leximit mësojnë më shumë dhe kuptojnë më mirë jetën.
Të tjerë thonë se preferojnë veprat që trajtojnë histori të jetës reale.
Ndërkohë, “Kopshti sekret” ngjalli kureshtje te nxënësit, të cilët mezi prisnin të zbulonin se çfarë fshihet pas kësaj vepre.
Por sfida kryesore ishte “Escape Room”.
Nxënësit thonë se bashkëpunimi ishte çelësi për të gjetur zgjidhjet.
“Jo, nuk ishte aspak e vështirë, sepse nëse ne të gjithë bashkëpunojmë, mund t’ia arrijmë qëllimit”, tha njëra prej nxënëseve.
Një tjetër e përshkroi si një sfidë mes lehtësisë dhe vështirësisë.
“Ishte gjysmë-gjysmë. Ishte edhe e lehtë, pasi kemi bashkëpunuar dhe kemi pasur ndihmë nga shokët, por ishte edhe pak e vështirë, sepse kishte disa puzzle të vështira.”
Dhe për një tjetër nxënës, përvoja ishte e qartë:
Ndryshe, aktiviteti u përmbyll me ndarjen e mirënjohjeve dhe dhuratave për nxënësit pjesëmarrës, si vlerësim për angazhimin, bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen e tyre gjatë gjithë aktivitetit nga shtëpia botuese “Dukagjini”.
Përveç njohurive të reja rreth veprave letrare, nxënësit morën me vete edhe një përvojë ndryshe, në të cilën libri, loja dhe bashkëpunimi u ndërthurën në një mënyrë më tërheqëse për ta. Mesazhi i aktivitetit ishte i thjeshtë: leximi nuk duhet të jetë vetëm detyrë, por mund të jetë edhe zbulim, lojë dhe kënaqësi. /Telegrafi/






