Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka reaguar pasi gjyqtarit Omar Artan, iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas mbërritjes së tij në Miami, pavarësisht se posedonte dokumentacion të rregullt.
Gjyqtari somalez, i cili konsiderohet një nga gjyqtarët më të mirë afrikanë të momentit, ishte në mesin e 170 arbitrave të përzgjedhur për të gjykuar në Kupën e Botës 2026. Megjithatë, ai u refuzua në pikën kufitare të hyrjes dhe është detyruar të kthehet në vendlindjen e tij.
Duke komentuar situatën, Infantino pranoi se FIFA ka kompetenca të kufizuara në çështjet administrative dhe të emigracionit që varen nga autoritetet shtetërore.
“Është për të ardhur keq ajo që i ndodhi gjyqtarit nga Somalia. Sërish, ne nuk kontrollojmë gjithçka. Do të përpiqemi, do të diskutojmë, do të bisedojmë dhe do të shohim se çfarë mund të bëhet”.
“Ndonjëherë është mirë të qetësohemi dhe të mos reagojmë menjëherë. Ne punojmë për çdo problem dhe përpiqemi të gjejmë zgjidhje”.
“Nganjëherë, të bërtasësh dhe të ankohesh menjëherë mund ta vështirësojë edhe më shumë gjetjen e një zgjidhjeje”.
Infantino theksoi gjithashtu kufijtë institucionalë të FIFA-s në raste të tilla.
“Më besoni kur ju them se ne gjithmonë përpiqemi të gjejmë zgjidhje. Por duhet të respektojmë faktin se nuk jemi mbretërit e botës që mund të urdhërojmë qeveritë apo forcat policore. Ne jemi një organizatë sportive”, përfundoi ai./Telegrafi/






