Rayo Vallecano, mrekullia e futbollit: Nga lagjja e varfër e Madridit në finalen e Ligës së Konferencës

Sport

“Ka disa gjëra në futboll që nuk mund të shpjegohen dhe një prej tyre është fakti që ne jemi finalistë”, tha kapiteni i Rayo Vallecanos, Oscar Valentin, përpara finales së madhe të Ligës së Konferencës ndaj Crystal Palace, ku Crystal Palace fitoi me rezultat 1-0. “Kemi një stadium të viteve ’70, të amortizuar. Ekipet kundërshtare […]

Madhësia e shkronjave

“Ka disa gjëra në futboll që nuk mund të shpjegohen dhe një prej tyre është fakti që ne jemi finalistë”, tha kapiteni i Rayo Vallecanos, Oscar Valentin, përpara finales së madhe të Ligës së Konferencës ndaj Crystal Palace, ku Crystal Palace fitoi me rezultat 1-0.

“Kemi një stadium të viteve ’70, të amortizuar. Ekipet kundërshtare vijnë këtu dhe habiten se ku kanë ardhur. Por pikërisht kjo është thelbi i kësaj lagjeje”.

Dhe vërtet, historia e Rayo Vallecanos duket si një përrallë moderne futbolli.

Vetëm kualifikimi në garat evropiane konsiderohej një mrekulli për klubin nga Vallecas, një prej lagjeve më të mëdha dhe më të varfra të Madridit, me afro 380 mijë banorë.

Arritja në finalen e Ligës së Konferencës është diçka që askush nuk guxonte ta imagjinonte.

Vetëm pak muaj më parë, në shkurt, Rayo u detyrua të huazonte një fushë stërvitore nga Leganes, pasi terreni i tyre ishte në gjendje të papërdorshme.

Kur fusha u rikthye në përdorim, lojtarë dhe trajnerë e cilësuan si rrezik për sigurinë. Problemet nuk mbarojnë aty. Tifozët kundërshtarë ankohen shpesh për kushtet primitive në stadium, ndërsa këtë sezon pati edhe një incident absurd kur dritat u fikën plotësisht pas një shkurtimi elektrik të shkaktuar nga “priza e gabuar”.

Ndërkohë, vetëm pak stacione metroje larg, qëndron “Santiago Bernabeu” – simboli i luksit dhe modernitetit të futbollit evropian.

Por pikërisht ky kontrast duket se ka krijuar identitetin unik të Rayos.

“Ishte Andoni Iraola ai që na bëri të besonim se përballë nesh janë vetëm 11 lojtarë si ne dhe se milionat nuk luajnë në fushë”, kujton ish-kapiteni Oscar Trejo. “Ajo që vendos është futbolli”.

Megjithatë, trajneri aktual Inigo Perez ka ndërtuar diçka që shkon përtej taktikave. Ai flet vazhdimisht për karakterin, për bashkimin dhe për ndjenjën e përkatësisë.

“Lidhja me Vallecasin është jashtëzakonisht e fortë. Kjo pranim i vuajtjes është ajo që e bën këtë klub unik”, thotë Perez.

Shumica e lojtarëve të Rayos kanë ardhur nga kategori të ulëta. Nga 26 futbollistët e skuadrës, 20 kanë luajtur në Segunda Division dhe 14 kanë kaluar edhe në kategorinë e tretë spanjolle.

Kapiteni Valentin, Isi Palazon dhe Alvaro Garcia janë vetëm disa prej emrave që u rritën bashkë me klubin.

“Ne jemi njerëz të thjeshtë. Vijmë nga klube modeste dhe dimë të përshtatemi me gjithçka”, shpjegon Valentin. “Kur përballemi me vështirësi, forca jonë është uniteti dhe humori”.

Në dhomat e zhveshjes së Rayos, problemet shpesh shndërrohen në batuta. Sulmuesi Sergio Camello e përshkruan atmosferën si diçka të rrallë në futbollin modern.

“Kur hyn në zhveshtore dhe sheh figura si Trejo, Isi apo Alvaro Garcia, e kupton se nuk ka vend për ankesa. Duhet vetëm të punosh”, thotë ai.

Vallecas është historikisht një lagje e klasës punëtore, e ndërtuar nga emigrantë dhe familje që kërkonin një jetë më të mirë në Madrid.

Pikërisht kjo lidhje mes klubit dhe njerëzve e ka bërë Rayon ndryshe nga çdo skuadër tjetër në elitën evropiane.

“Rayo është futbolli i vjetër që ende jeton”, thotë Camello. “Kur fton dikë në Vallecas, futbolli është gjëja më pak e rëndësishme. Ajo që ndjen para ndeshjes, bashkimi dhe pasioni i njerëzve janë të pabesueshme”.

Lojtarët jetojnë pranë tifozëve, frekuentojnë të njëjtat bare dhe shpesh festojnë bashkë pas ndeshjeve.

Nuk ka parking privat apo dalje sekrete nga stadiumi – futbollistët dalin direkt në rrugë mes tifozëve.

“Kjo është unike për Rayo”, shpjegon Valentin. “Edhe kur gjërat shkojnë keq, tifozët afrohen edhe më shumë me skuadrën. Nuk mbaj mend një moment kur ekipi të jetë vërshëllyer”.

Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron sekreti i kësaj mrekullie sportive. Në një kohë kur futbolli modern duket gjithnjë e më larg njerëzve të zakonshëm, Rayo Vallecano ka arritur të ruajë shpirtin e lagjes së tij.

“Rayo është prova perfekte që edhe ata që humbasin, që vuajnë dhe luftojnë çdo ditë, mund ta shijojnë suksesin”, përfundon trajneri Inigo Perez. “Kjo histori meriton të tregohet. Dhe shpresojmë që të ketë një fund të lumtur”. /Telegrafi/