Tensioni i ndeshjes së kthimit mes Atletico Madridit dhe Barcelonës, që përfundoi me eliminimin e katalanasve nga Liga e Kampionëve, u reflektua edhe pas vërshëllimës së fundit. Një nga protagonistët e momenteve pas ndeshjes ishte Raphinha, i cili nuk luajti për shkak të lëndimit.
Teksa lojtarët e Barcelonës po falënderonin tifozët e tyre, braziliani iu afrua tribunave ku ndodheshin tifozët e Atleticos dhe u dëgjua duke përsëritur fjalën “jashtë”, duke e shoqëruar me gjeste, në atë që u interpretua si një aludim se madrilenët do të eliminoheshin në raundin tjetër.
Pamjet u kapën nga kamerat e DAZN dhe më pas u publikuan në një postim në Instagram. Një ditë më vonë, Raphinha reagoi në të njëjtin postim, duke kërkuar falje dhe duke tentuar ta ulë polemikën.
“Ishte një akt i bërë në një moment tensioni, si përgjigje ndaj një tifozi që nuk po më respektonte. Kërkoj falje për gjestin tim, i cili nuk pasqyron vlerat apo karakterin tim”, shkroi ai.
Megjithatë, Raphinha nuk e fshehu zemërimin e tij për mënyrën si u drejtua ndeshja. Në zonën e përzier, ai kritikoi ashpër gjykimin, duke thënë se “kjo ndeshje ishte një grabitje”, ndërsa u ankua edhe për kriterin disiplinor, duke pretenduar se Atletico Madridi bëri shumë faulle dhe gjyqtari nuk ndëshkoi sa duhej.
Anësori i Barcelonës shkoi edhe më tej me deklaratat, duke lënë të kuptohet se ndjeu frikë ose hezitim nga ana e gjyqtarëve për t’i dhënë Barcelonës fitoren. /Telegrafi/






