Rama krahason Zvërnecin me Costa Navarinon: Shqipëria mund ta ketë destinacionin më tërheqës të Mesdheut

Nacionale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sjellë në vëmendje shembullin e projektit turistik Costa Navarino, duke e cilësuar atë si dëshmi se projektet e mëdha zhvillimore mund të transformojnë një territor pa dëmtuar ekuilibrin mes natyrës dhe komunitetit. Në një postim të gjatë, Rama kujtoi se para ndërtimit të Costa Navarinos kishte paralajmërime për katastrofë […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sjellë në vëmendje shembullin e projektit turistik Costa Navarino, duke e cilësuar atë si dëshmi se projektet e mëdha zhvillimore mund të transformojnë një territor pa dëmtuar ekuilibrin mes natyrës dhe komunitetit.

Në një postim të gjatë, Rama kujtoi se para ndërtimit të Costa Navarinos kishte paralajmërime për katastrofë mjedisore, shkatërrim të biodiversitetit dhe betonizim të zonës, por sipas tij, realiteti rezultoi ndryshe.

Ai theksoi se sot Costa Navarino është një nga destinacionet turistike më prestigjioze në Evropë, duke gjeneruar miliarda euro për ekonominë, mijëra vende pune dhe zhvillim për bizneset lokale.

Duke e lidhur këtë shembull me Shqipërinë, ai tha se vendi mund ta ketë “Costa Navarinon” e vet në Zvërnec.

Mirëmëngjesi dhe me këtë histori të vërtetë nga fqinjët tanë të jugut, ju uroj ditë të mbarë

Costa Navarino mund të quhet ndryshe historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës, atyre që nuk ëndërrojnë po paragjykojnë ëndrrat e të tjerëve; nuk projektojnë po gjykojnë projektet e të tjerëve; nuk ndërtojnë po përgojojnë ata që ndërtojnë.

Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë.

Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës.

U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë.

U tha se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të varrosej nën pushtimin e betonit.

Me pak fjalë, repertori i zakonshëm i atyre që e kanë më të lehtë të venë kujën për fundin e një vendi, sesa për transformimin e tij.

Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës.

Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz.

Një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës.

Një rajon i vendosur si një perlë e rrallë në kurorën e turizmit botëror.

Miliarda euro të gjeneruara për ekonominë.

Shumë biznese lokale që janë rritur përreth.

Një territor i tërë që ka ndryshuar rrënjësisht pa humbur ekuilibrin mes natyrës dhe komunitetit.

Dhe në këtë trajektore spektakolare transformimi ja edhe disa fakte kokëforta:

75% më pak emetime operacionale karboni krahasuar me vitin 2019.

Mbi 185 mijë metra kub ujë të ricikluar dhe ripërdorur vetëm gjatë vitit 2024.

72% më pak plastikë njëpërdorimëshe.

100% energji elektrike nga burime të rinovueshme.

Të kuptohemi! Kjo histori e bukur e vendit fqinj, nuk do të thotë se çdo investim i madh është automatikisht i mirë. As se çdo shqetësim është pa vlerë. Përkundrazi. Por do të thotë se zhvillimi nuk mund të mohohet kurrë kategorikisht. Një projekt bashkëjetese i zhvillimit me natyrën nuk mund të paragjykohet asnjëherë arbitrarisht. Sepse po të ishte dëgjuar gjithmonë kori i atyre që thonë “nuk bëhet” se prishet, njerëzimi do të ishte ende duke diskutuar nëse ia vlen të shpiket rrota.

Nuk do të kishim as vetë Evropën që njohim sot.

Costa Navarino nuk është thjesht historia e një resorti më shumë. Është prova se kur vizioni, projekti, kapitali, teknologjia dhe përgjegjësia bashkohen në një ëndërr të madhe, mund të ndryshojnë fatin e një territori të tërë.

Po Shqipëria s’mund ta ketë “Costa Navarinon” e saj? Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht mu aty, në Zvërnec, po si e qysh kjo nuk ka lidhje me historinë e këtij postimi, po me historinë e një projekti që ka ambicien të krijojë destinacionin më tërheqës të kësaj ane të Mesdheut. /Telegrafi/