VLEN ka reaguar sërish lidhur me tragjedinë e Tetovës, duke kërkuar përgjigje nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe sqarime për vendimin e Prokurorisë për mbylljen e procedurës lidhur me prokurimet e 19 spitaleve modulare.
Nga VLEN thonë se, pas reagimit të tyre të djeshëm, kanë pritur një përgjigje nga Ahmeti dhe BDI-ja, por sipas tyre, ajo nuk ka ardhur. Partia opozitare thekson se heshtja vazhdon edhe përballë tragjedisë ku humbën jetën 14 persona në Tetovë.
VLEN ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si Prokuroria ka arritur në përfundimin për mbylljen e procedurës për prokurimet e spitaleve modulare. Në këtë drejtim, kërkohet një shpjegim i qartë dhe i plotë nga Islam Abazi, i cili aktualisht drejton Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Sipas VLEN-it, përgjegjësia nuk është vetëm juridike, por edhe politike. Partia thekson se tragjedia ndodhi në kohën kur BDI-ja ishte pjesë e pushtetit dhe se, edhe pas pesë vitesh hetim, familjet e viktimave vazhdojnë të përballen me pikëpyetje të shumta.“Dje kërkuam përgjigje. Sot kërkojmë edhe më shumë transparencë”, thuhet në reagimin e VLEN-it, nga ku shtojnë se mbyllja e një procedure nuk nënkupton mbylljen e pyetjeve dhe as të përgjegjësisë politike.
VLEN paralajmëron se do ta mbajë çështjen në vëmendjen e opinionit publik derisa, siç thonë nga kjo parti, të ketë përgjigje të qarta për rrethanat që lidhen me 14 viktimat e tragjedisë në Tetovë.






