Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, pasi ky i fundit akuzoi komunën për shkelje të Ligjit për Partneritet Publiko-Privat në lidhje me organizimin e transportit publik në kryeqytet.
Përmes një reagimi të shkurtër në rrjetet sociale, Rama ironizoi deklaratat e Muratit, duke e quajtur atë “bllokues”.
“U lajmëru bllokuesi! Me punu s’po ja u don. Po për me blloku, çoheni edhe natën”, ka shkruar Rama.
Reagimi vjen pasi Murati deklaroi se Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur procedurat e parapara me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat dhe se çdo marrëveshje apo kontratë e lidhur në këtë drejtim është, sipas tij, në kundërshtim me ligjin.
Ministri në detyrë kishte kërkuar gjithashtu që organet e rendit të ndërhyjnë për të parandaluar, siç tha ai, keqpërdorimin e parasë publike.
Më herët, Rama ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka përkrahur operatorët në procesin e financimit për blerjen e 15 autobusëve elektrikë dhe dy tramvajve.
“Sot përkrahëm operatorët në proces të financimit për 15 autobusë elektrikë dhe 2 Tram. Kështu do të duken autobusët e rinj të Kryeqytetit. Modernë, më të qasshëm për të gjithë dhe mbi të gjitha 100% elektrikë. Prishtinën s’ka që e ndal!”, ka shkruar Rama./Telegrafi.






