Sot në Kuvendin e Kosovës është hapur fushata “Tetori Rozë”, fushatë kjo kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu në hapje të kësaj fushate theksoi se kanë përgjegjësi të sigurojnë mjetet për kujdesin që u duhet grave.

Ajo theksoi se një kontroll nuk duhet të shtyhet për më vonë për shkak të largësisë, shpenzimeve apo pamundësisë për t’u shkëputur nga detyrimet familjare
Lexoni të plotë postimin e saj në Facebook:
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, hapëm fushatën “Tetori Rozë”, kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Në fjalën time theksova se në këtë shtëpi, ku miratohen ligjet dhe ndahet paraja publike, kemi përgjegjësi të sigurojmë mjetet për kujdesin që u duhet grave. Një kontroll nuk duhet të shtyhet për më vonë për shkak të largësisë, shpenzimeve apo pamundësisë për t’u shkëputur nga detyrimet familjare.
Shumë gra janë mësuar t’i lënë nevojat e veta të fundit. Secili prej nesh mund t’ua lehtësojë barrën, që të kenë kohë edhe për shëndetin e tyre, pa u ndier fajtore për punët që atë ditë mbeten pa u kryer.
Kur të mbarojë tetori e të hiqen shiritat rozë, dikush do të jetë ende duke pritur një përgjigje e dikush do ta ketë ditën e parë të trajtimit. Kujdesi dhe përkushtimi ynë duhet të vazhdojnë për aq kohë sa ato kanë nevojë. /Telegrafi/





