Në Haifa, janë ankoruar anije mallrash me drithëra që dyshohet se e kanë origjinën nga territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë. Kievi e konsideron ngarkesën të vjedhur. Si po i përgjigjet Izraeli protestës ukrainase?
Marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Izraelit ishin miqësore dhe bashkëpunuese deri në shfaqjen e mosmarrëveshjes aktuale mbi drithërat.
E gjitha filloi me një postim në Facebook nga Kateryna Yaresko, një gazetare e projektit SeaKrime.
Ajo është pjesë e Qendrës Myrotvorets, një organizatë e pavarur që heton krimet kundër sigurisë kombëtare të Ukrainës.

Më 12 prill, Yaresko raportoi se anija mallrash ruse ‘Abinsk’ kishte mbërritur në një port izraelit duke transportuar drithëra të vjedhura ukrainase.
“Anija ‘Abinsk’ u prit në Haifa (Izrael) me një ngarkesë prej 43.765.18 tonë grurë nga territoret e pushtuara të Ukrainës. Anija ishte ngarkuar në portin ‘Kaukasus’; ngarkesa vinte nga portet e pushtuara të Ukrainës”, shkroi ajo.
Në atë kohë, ende nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar për këtë informacion.
Shkëmbim akuzash mes ministrave të jashtëm
Dy javë më vonë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, raportoi se një anije tjetër që transportonte drithëra të vjedhura nga Rusia nga territoret e pushtuara të Ukrainës ishte ankoruar në Izrael. Si pasojë, ambasadori izraelit në Kiev ishte thirrur në Ministrinë e Jashtme.
“Është e vështirë të kuptohet pse Izraeli nuk ka reaguar si duhet ndaj kërkesës legjitime të Ukrainës për anijen e mëparshme, e cila kishte sjellë mallra të vjedhura në Haifa. Duke qenë se një anije tjetër ka mbërritur tani në Haifa, ne paralajmërojmë sërish Izraelin që të mos pranojë drithërat e vjedhura dhe të mos dëmtojë marrëdhëniet tona”, deklaroi Sybiha në platformën sociale X.
Të njëjtën ditë, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar iu përgjigj indinjatës së Kievit.
“Nuk është paraqitur ende asnjë provë për të mbështetur këto pretendime”, shkroi ai në X (më parë Twitter), duke shtuar se “kjo çështje është nën hetim” dhe se autoritetet izraelite do të veprojnë në përputhje me ligjin.
Sipas Saar-it, Ministria e Jashtme e Ukrainës “madje as nuk paraqiti një kërkesë për ndihmë ligjore para se të fliste përmes medias dhe rrjeteve sociale”.
“Marrëdhëniet diplomatike, veçanërisht midis vendeve miqësore, nuk zhvillohen përmes Twitter-it apo mediave”, deklaroi Saar.
Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Ukrainës publikoi një kronologji të mosmarrëveshjes për grurin.
Sipas saj, çështja ishte subjekt i diskutimeve midis diplomatëve të të dy vendeve në fund të marsit dhe, më 15 prill, Ukraina kërkoi ndihmë ligjore ndërkombëtare nga Izraeli në lidhje me anijen “Abinsk”.
“Ana izraelite përfundoi shkarkimin e anijes përpara kohës së parashikuar dhe e lejoi të largohej, pavarësisht kërkesës së Ukrainës për të mos e bërë këtë”, thuhet në Ministrinë e Jashtme.
Ukraina punon për një paketë sanksionesh
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu u shpreh për këtë mosmarrëveshje.
“Në çdo vend normal, blerja e mallrave të vjedhura është një krim që sjell pasoja ligjore. Kjo vlen veçanërisht për drithërat që ka vjedhur Rusia”, shkroi Zelensky në Telegram.
Sipas tij, Rusia nxjerr në mënyrë sistematike drithëra nga territoret e pushtuara dhe i eksporton ato.
“Kjo lloj tregtie shkel ligjet e shtetit të Izraelit. Ukraina ka marrë të gjitha masat diplomatike të nevojshme për të parandaluar incidente të tilla”, deklaroi Zelensky.
Ai theksoi se Ukraina po punon për një paketë sanksionesh bazuar në informacione të inteligjencës.
Ajo do të prekë të gjithë ata që transportojnë këtë grurë, si dhe “individët dhe entitetet ligjore që kërkojnë të përfitojnë nga aktivitetet e tilla kriminale”.
Sipas Zelenskyt, Kievi po koordinon masat e tij me partnerët evropianë për të përfshirë individët në fjalë edhe në listat evropiane të sanksioneve.
Eksperti ushtarak izraelit David Sharp dyshon se pala izraelite nuk do ta kishte përshkallëzuar situatën nëse do të kishte marrë prova të plota nga Kiev-i në lidhje me origjinën e drithërave nga territoret e pushtuara.
“Askujt nuk i duhen këto probleme, as përkeqësimi i marrëdhënieve me Ukrainën, as sanksionet”, tha Sharp në një intervistë për DW.
Pyetja është se çfarë provash prezantoi në të vërtetë Ukraina dhe çfarë mori në të vërtetë pala izraelite.
Sharp thekson se Izraeli është një vend me një gjyqësi të pavarur, ku marrëdhëniet tregtare private mbrohen me ligj.
Ministria e Jashtme nuk mund të kërkojë që një biznesmen të ndërpresë një kontratë blerjeje drithi. Nëse do ta bënte këtë, përfaqësuesi i qeverisë do të dërgohej në gjykatë.
“Për të ndërprerë një kontratë, kërkohen prova të forta ligjore, përfshirë raportet e inteligjencës”, shpjegon Sharp, duke shtuar: “Nëse Ukraina dëshiron që Izraeli të bllokojë një transaksion tregtar, dyshimet e thjeshta ose postimet në mediat sociale nuk mjaftojnë. Prandaj, ai duhet të paraqesë materiale që qeveria izraelite mund t’i përdorë për ta çuar çështjen në gjykatë ose në prokurorinë publike”.
Ivan Us, nga Instituti Kombëtar për Studime Strategjike në Ukrainë, shpjegon se nuk është hera e parë që Rusia ka tentuar të legalizojë kështu drithërat e vjedhura ukrainase.
Drithërat nxirren nga territoret e pushtuara, përzihen me drithëra ruse në magazinat e transhipimit, deklarohen si drithëra ruse dhe, më në fund, rishiten.
“Nga këndvështrimi ynë, ky është drithë i vjedhur, por për blerësin mund të duket si një produkt i ligjshëm”, thotë eksperti i politikës së jashtme.
Kjo e komplikon mbledhjen e provave dhe, rrjedhimisht, ndjekjen penale të këtyre skemave.
Sipas Serhiy Danylov të Qendrës Ukrainase për Studime të Lindjes së Mesme, ambasada ukrainase i ka dhënë palës izraelite informacione inteligjence mbi rrugët, ngarkimet e drithërave në det, si dhe mbi pronarët dhe logjistikën e dërgesave.
Ai kritikon Izraelin për injorimin e të gjitha paralajmërimeve të Ukrainës.
“Ndërsa anija e parë ende nuk kishte nxitur një reagim kaq të fortë, tani po shohim një dimension krejtësisht të ri në reagimin e Ukrainës. Zelensky përmend sanksionet për herë të parë në deklaratën e tij, duke përfshirë ato në koordinim me BE-në. Kjo nuk është më vetëm një protestë diplomatike, por një sinjal që do të merren masa konkrete. Reagimi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit ishte, sinqerisht, i pakëndshëm. Në fakt, ajo mohoi se kishte prova të mjaftueshme”, i tha Danylov DW-së.
Ukraina kërkon ndihmë ligjore nga Izraeli
Ndërkohë, Kievi i ka dërguar palës izraelite një paketë dokumentesh për të mundësuar ndërmarrjen e veprimeve kundër anijes ruse që po transporton drithërat e vjedhura ukrainase.
Këtë e njoftoi Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravchenko, më 29 prill përmes Telegramit.
“Kërkesa përkatëse për ndihmë ligjore tashmë u është dërguar autoriteteve kompetente izraelite”, deklaroi Kravchenko.
Ai theksoi se Ukraina po i kërkon partnerëve të saj izraelitë të ndalojnë anijen dhe ngarkesën e saj, ta kontrollojnë, të sekuestrojnë dokumentacionin e anijes dhe të ngarkesës, të marrin mostra të drithërave dhe të marrin në pyetje anëtarët e ekipazhit.
Sipas Kravçenkos, që nga fillimi i agresionit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës, më shumë se 1.7 milionë tonë produkte bujqësore, me vlerë totale mbi 20 miliardë hryvnia (e barabartë me rreth 388 milionë euro), janë eksportuar në mënyrë të paligjshme nga territoret ukrainase të pushtuara përkohësisht.
Më 30 prill, agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine raportoi, duke cituar gazetën izraelite ‘The Marker’, se kompania izraelite Zenziper më në fund refuzoi të pranonte ngarkesën, e cila me shumë gjasa përbëhej nga drithëra të vjedhura ukrainase. Thuhet se anija e ngarkesës është larguar nga Haifa.
‘Ne fituam; anija e ngarkesës po largohet nga porti për në ujërat neutrale. Do të çojmë deri në fund procedurat penale dhe ato të sanksioneve”, i tha agjencisë së lajmeve ambasadori i Ukrainës në Izrael, Yevhen Korniychuk.
Sipas një raporti, furnizuesi rus u informua për urdhrin për të refuzuar ngarkesën e anijes.
Importuesi i drithërave Zenziper deklaron se “furnizuesi rus i ngarkesës me drithëra duhet të gjejë një vend tjetër për ta shkarkuar”.
“Kjo është hera e parë që një ngarkesë drithërash, të cilat dyshohet se janë vjedhur në Ukrainë, nuk është pranuar ose shkarkuar në Izrael”, citon mediat izraelite Interfax-Ukraine. /DW/





