Protestuesit mblidhen te Kuvendi, vezë me emrat e deputetëve dhe bllokim rrugësh, policia ‘gardh’ para institucionit
E ndërsa seanca plenare e cila do të mbahet sot në ora 12:00 ende nuk ka nisur, sikundër kishin paralajmëruar ditë më parë nga sheshi, protestuesit janë mbledhur para Kuvendit.
Dhjetëra protestues janë mbledhur në pjesën e pasme të Kuvendit, ndërsa dëgjohen thirrje “Parlament i krimit”, teksa në institucion kanë nisur të mbërrijnë deputetët dhe ministrat socialistë.
Ndërkaq, disa prej tyre shihen me vezë në duar duke shkruar në to emrat e deputetëve, teksa po ashtu kanë sjellë edhe kollaro. Ata shprehen se kanë ndryshuar ‘strategji’ dhe se nuk do t’i godasin me vezë, por do t’ua japin në dorë dhe do t’u kërkojnë deputetëve që t’i thyejnë ose jo.
Në kor ata dëgjohen duke brohoritur “Rama jepe dorëheqjen”, ndërsa më pas ka ndërhyrë policia duke i zhvendosur nga oborri i jashtëm i Kuvendit. Po ashtu policia ka marrë masa duke bllokuar zonën përreth për të shmangur incidente. /Tch/






