Një operacion i Policisë së Shtetit, i koduar “Bulevardi”, ka çuar në arrestimin e një 44-vjeçari të dyshuar për furnizim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në kryeqytet.
Sipas Policisë, në pranga është vënë shtetasi S.K., 44 vjeç, banues në Vorë. Arrestimi u krye pas informacioneve të siguruara nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët dyshonin se ai po transportonte një sasi të konsiderueshme kokaine për ta shpërndarë në zona të ndryshme të Tiranës.
“Në vijim të kontrolleve intensive dhe punës së bazuar në inteligjencën policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë siguruan informacione se një shtetas do të transportonte dhe shpërndante një sasi të konsiderueshme lënde narkotike kokainë në zonën e Bulevardit të Ri dhe në segmentet rrugore që lidhin kryeqytetin me zonën e Urës së Paskuqanit”, thuhet në njoftim.
Bazuar në këto informacione, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Bulevardi”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., 44 vjeç, banues në Vorë.
Policia njofton se kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan dy paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale rreth 1 kilogram e 680 gramë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i arrestuari furnizonte persona të tjerë me kokainë për shitje në doza, ndërsa një pjesë të sasisë e shpërndante vetë.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Ndërkohë, autoritetet njoftojnë se gjatë operacionit të mëparshëm “Zonat”, të zhvilluar në muajt maj dhe qershor, janë sekuestruar rreth 1.5 kilogramë kokainë dhe 1.1 kilogramë heroinë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /Telegrafi/






