Policia në Rajonin e Gjilanit shqiptoi 1.315 gjoba trafiku brenda një jave, hetoi 28 aksidente

Rajon

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se gjatë periudhës 5-11 qershor 2026 janë shqiptuar gjithsej 1.315 gjoba në trafik, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion. Sipas njoftimit, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë zhvilluar aktivitete të shtuara kontrolli dhe monitorimi në terren, me […]

Madhësia e shkronjave

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se gjatë periudhës 5-11 qershor 2026 janë shqiptuar gjithsej 1.315 gjoba në trafik, në kuadër të zbatimit të planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion.

Sipas njoftimit, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë zhvilluar aktivitete të shtuara kontrolli dhe monitorimi në terren, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe identifikimin e shkeljeve të rregullave të trafikut.

Gjatë kësaj periudhe, policia ka hetuar 16 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 12 aksidente me persona të lënduar.

Po ashtu, janë shqiptuar 21 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve për mosvendosje të rripit të sigurisë, ndërsa 31 ngasës janë ndëshkuar për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të automjetit.

Në kuadër të kontrolleve, policia ka shqiptuar edhe 60 gjoba ndaj ngasësve të motoçikletave, ndërsa ndaj 33 drejtuesve të mjeteve motorike është vendosur masa e ndalimit të drejtimit të automjetit.

Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.

“Me qëllim të parandalimit të aksidenteve në trafik, apelojmë tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të ulin shpejtësinë, të mos përdorin telefonin gjatë vozitjes, të vendosin rripin e sigurimit, të kenë kujdes ndaj këmbësorëve dhe të mos e neglizhojnë sinjalistikën rrugore dhe semaforët”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët. Ndihmoni në uljen e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës”, theksohet më tej në apelin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan. /Telegrafi/