Policia e Kosovës, me vendim të Infrakosit ka asistuar në marrjen nën kontroll të katër pikave të nënstacioneve hekurudhore në komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani.

“Kemi asistuar në marrjen nën kontroll të katër stacioneve në Zveçan dhe Leposaviq”, ka deklaruar Elshani.
Ndërkohë, në veri gjatë këtij aksioni ishin edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryeshefi ekzekutiv i Infrakos-it, Bujar Jupaj.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha ka thënë para mediave se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë me projektin për funksionalizimin e linjës së 10-të hekurudhore edhe në veri të vendit.
Ai tha se ky veprim është ndërmarrë për shkak se, sipas tij, në këto pika kanë operuar struktura paralele të Serbisë, ndërsa tashmë kontrolli po kalon tek institucionet e Kosovës.
“Jemi këtu sepse, siç e dini, këtu kanë vazhduar të operojnë strukturat paralele të Serbisë dhe ne i kemi vendosur institucionet tona. Është Infrakosi që do ta marrë kontrollin e stacionit hekurudhor në Zveçan dhe në tri pika tjera. Linja e 10-të hekurudhore do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe komunat në veri”, ka thënë Basha.
Ai shtoi se institucionet janë të interesuara që të krijojnë qasje më të lehtë në transportin hekurudhor dhe të rikthejnë funksionalitetin, rendin dhe ligjin në infrastrukturën hekurudhore në veri të Kosovës. /Telegrafi/





