Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, e paralajmëroi Elon Muskun të mërkurën, më 14 tetor, se klientët evropianë po i ndiqnin veprimet e tij, pas raportimeve se kufizimet e papritura në Starlink kishin penguar operacionet ushtarake ukrainase.
“Hej, @elonmusk, o ‘njeri i madh’, a po bën sërish politikë me produktet e tua? Si klientë evropianë, ne po të vëzhgojmë”, shkroi Sikorski në platformën X, përcjell Telegrafi.
Komentet e tij pasuan raportimet ukrainase se disa terminale Starlink kishin filluar të humbnin lidhjen ndërsa lëviznin me shpejtësi të lartë, duke ndërhyrë në misionet me dronë.
Hey, @elonmusk, big man, are you playing politics with your products again?As your European customers, we are watching you.
— Radosław Sikorski 🇵🇱🇪🇺 (@sikorskiradek) October 14, 2026
Dhe Ukraina thotë se kufizimet hynë në fuqi pa ndonjë paralajmërim.
Serhii “Flash” Beskrestnov, një këshilltar presidencial për teknologjinë e mbrojtjes, tha në Telegram se SpaceX i vendosi kufizimet gjatë natës, pa njoftuar Forcat e Mbrojtjes të Ukrainës.
Sipas Beskrestnov-it, kufizimi prekte paketën e shërbimit ushtarak Starshield dhe zbatohej për terminalet që lëviznin me shpejtësi mbi 100 milje në orë (afërsisht 160 kilometra në orë).
Ai tha se disa misione u penguan dhe e lidhi ndryshimin me situatën politike. Ky shpjegim nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Mesazhi ironik i Sikorskit sjell ndërmend mosmarrëveshjen e tij të marsit 2025 me Muskun lidhur me besueshmërinë e Starlink-ut për Ukrainën.
Në atë kohë, Sikorski tha se Polonia paguante afërsisht 50 milionë dollarë në vit për qasjen e Ukrainës dhe se do të kërkonte një furnizues tjetër nëse SpaceX do të rezultonte e pabesueshme.
“Hesht, o njeri i vogël”, u përgjigj Musku.
Më pas, ai deklaroi se Starlink-u nuk do t’i fikte kurrë terminalet e Ukrainës, pavarësisht mosmarrëveshjeve të tij mbi politikat.
Udhëheqësit evropianë gjithashtu i kanë bërë presion Muskut që të zgjerojë qasjen e Ukrainës.
Në shtator, presidenti finlandez Alexander Stubb i kërkoi atij të mundësonte mbulimin me Starlink përreth lëshuesve të raketave balistike ruse, duke argumentuar se ndihma ndaj Ukrainës për t’i shkatërruar ato para lëshimit mund të shpëtonte jetë civilësh. /Telegrafi/






