Presidenti amerikan, Donald Trump është distancuar nga angazhimet e dy këshilltarëve të tij politikë, Chris LaCivita dhe James Blair, të cilët, sipas raportimeve, kanë ofruar shërbime këshillimore në Republikën Serbe, në Bosnje-Hercegovinë, në prag të zgjedhjeve.
Trump tha se LaCivita dhe Blair nuk janë pjesë e stafit të tij të përhershëm, por konsulentë të jashtëm, dhe paralajmëroi se mund t’i largojë nëse konstatohet ndonjë konflikt interesi, shkruan reuters.
Në një reagim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se dy këshilltarët lejohen të kenë klientë të tjerë, njësoj si konsulentët e tjerë politikë në Washington.
“Chris LaCivita dhe James Blair janë konsulentë të jashtëm. Ata nuk punojnë për mua, përveçse në cilësinë e konsulentëve të jashtëm”, shkroi Trump.
Megjithatë, presidenti amerikan tha se nuk ishte në dijeni se për kë punojnë dy këshilltarët jashtë angazhimit të tyre me të dhe se do të kërkojë sqarime.
“Do t’i pyes dhe, nëse ka konflikt interesi, do t’i pushoj menjëherë”, deklaroi Trump.
Reagimi i tij vjen pas raportimeve se LaCivita dhe Blair kanë udhëtuar në Republikën Serbe përpara zgjedhjeve dhe kanë ofruar këshillim politik për autoritetet atje.
Sipas raportimeve, të cilat citohen të jenë bazuar në burime të njohura me marrëveshjen, të dy këshilltarët janë paguar me qindra mijëra dollarë secili, përmes një firme ligjore me bazë në Washington, të angazhuar nga qeveria e Republikës Serbe.
LaCivita është emër i njohur edhe në politikën shqiptare. Ai ka shërbyer si këshilltar politik i kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berishës dhe kampit opozitar shqiptar, duke qenë pjesë e ekipit amerikan të konsulentëve që punuan për strategjinë politike të Berishës në zgjedhjet e vitit 2015.
Associated Press e ka përmendur LaCivita-n mes figurave të rëndësishme të fushatave të Donald Trump që janë angazhuar për të ndihmuar Berishën në Shqipëri. /Telegrafi/






