Predikuesi kontrovers islamik, Elvedin Peziq u arrestua dje në Kosovë, së bashku me Mithad Çemanin, me të cilin kishte planifikuar të mbante një ligjëratë dhe promovim të librit në rajonin e Pejës.
Policia i kërkoi atij lejen e Bashkësisë Islame të Kosovës për zhvillimin e këtij aktiviteti.
Çemani u lirua menjëherë, ndërsa Peziq u mbajt në stacionin policor për të shqyrtuar rrethanat e ardhjes së tij në Kosovë, shkruan klix.ba.
Siç ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Rexho Kojiq nga organizata joqeveritare kosovare “Mladi volonteri”, e cila organizoi aktivitetin ku Peziq duhej të merrte pjesë mbrëmë, urdhri për ndalimin e tij kishte ardhur nga Prishtina.
Organizatori theksoi se policia i kishte kërkuar Peziqit lejen e Bashkësisë Islame të Kosovës për të marrë pjesë në promovimin e librit. Megjithatë, Kojiq vlerëson se Peziqit nuk i nevojitej një leje e tillë.
“Ai nuk është imam në asnjë xhami dhe nuk kishte nevojë për një leje të tillë. Bëhej fjalë për promovimin e një libri”, tha Kojiq.
Sipas informacioneve të Klix.ba, Peziq u arrestua pas një denoncimi për përhapjen e ideologjisë vehabiste në fshatin Vllikomiricë, për çka ai është bërë person me interes për sigurinë për autoritetet kosovare.
Ndërkaq, Elvedin Peziq prej vitesh është aktiv në hapësirën online si interpretues fetar selefist, ndërsa qëndrimet e tij kanë shkaktuar disa herë reagime të forta në Bosnjë e Hercegovinë dhe në rajon.
Së fundmi, lidhur me të është deklaruar edhe Bashkësia Islame e Bosnjë e Hercegovinës, duke vlerësuar se qëndrimet e tij se shoqëria është rrënuar “kur gratë u nxorën nga shtëpia”, nuk janë në përputhje me mësimet islame për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane. /Telegrafi/






