Paul Pogba është pranë largimit nga Monaco, vetëm një vit pasi iu bashkua klubit francez si lojtar i lirë.
33-vjeçari pritet të ndërpresë kontratën me marrëveshje të dyanshme, pasi deri tani ka bërë vetëm gjashtë paraqitje me Monacon. Palët janë në bisedime për të mbyllur kontratën dyvjeçare pas vetëm 12 muajsh.
Monaco kishte shpresuar që ta rikthente Pogban në nivelin e tij të mëparshëm fizik, por klubi beson se nuk ka arritur ta bëjë këtë. Situata është komplikuar edhe më shumë pas lëndimit të fundit.

Mesfushori francez pësoi një lëndim në kofshë të martën në “St.George’s Park”, ku Monaco po zhvillon fazën përgatitore në Angli. Ekziston frika se ky dëmtim mund ta mbajë atë jashtë fushave për disa muaj.
Megjithatë, bisedimet për ndërprerjen e kontratës nuk kanë nisur për shkak të këtij lëndimi, pasi ato kanë vazhduar prej disa javësh.
Pogba iu bashkua Monacos verën e kaluar si lojtar i lirë, pasi kishte mbetur pa klub pas largimit nga Juventusi në nëntor të vitit 2024.
Debutimin me Monacon e bëri në nëntor të vitit 2025, në paraqitjen e tij të parë pas një pauze prej 26 muajsh. Ai kishte luajtur për herë të fundit në shtator të vitit 2023, përpara se të dënohej për shkelje të rregullave antidoping.
Fillimisht, Pogba ishte dënuar me katër vite pezullim në shkurt të vitit 2024, por dënimi u reduktua në 18 muaj pas apelimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Kjo i mundësoi atij të rikthehej në stërvitje në janar dhe në ndeshjet zyrtare në mars.
Pogba e nisi karrierën e të rinjve te Le Havre, para se të transferohej te Manchester Unitedi si adoleshent. Ai ka zhvilluar 91 paraqitje me Kombëtaren e Francës, por nuk është grumbulluar që nga viti 2022.
Me Juventusin, Pogba fitoi katër tituj të Serie A dhe zhvilloi 190 ndeshje për klubin torinez. Megjithatë, pas një periudhe të gjatë të karakterizuar nga lëndimet dhe pezullimi, aventura e tij te Monaco duket se po përfundon shumë më herët nga sa ishte planifikuar./Telegrafi/





