Toyota ka zhvilluar një motor të ri 4.0-litërsh V8 me dy turbo, i cili sjell një sërë zgjidhjesh teknike të pazakonta dhe pritet të debutojë në superveturën e re Toyota GR GT.
Një nga veçoritë kryesore të motorit është vendosja e turbo-kompresorëve mes dy rreshtave të cilindrave. Kjo zgjidhje shkurton distancën që duhet të përshkojnë gazrat e shkarkimit dhe, si pasojë, siguron reagim më të shpejtë të motorit. Në të njëjtën kohë, konfigurimi lejon që motori të vendoset më ulët në shasi, duke përmirësuar qendrën e gravitetit të automjetit.

Për të mbrojtur komponentët kryesorë nga temperaturat ekstreme, Toyota ka përdorur teknologji për mbrojtjen termike që zakonisht aplikohet në avionë, shkruan CarBuzz.
Motori është projektuar gjithashtu për të punuar së bashku me një motor elektrik të vogël, i cili do të vendoset mes bllokut të motorit dhe transmisionit. Fuqia e kombinuar arrin 640 kuaj/fuqi dhe 850 Nm çift rrotullues, duke e bërë atë motorin më të fuqishëm të prodhuar deri tani nga Toyota.
Për t’i përballuar ngarkesat e larta G gjatë vozitjes në pistë, V8-i përdor sistem lubrifikimi me karter të thatë në vend të sistemit tradicional me karter vaji.
Motori i ri do të debutojë në Toyota GR GT, një superveturë me tërheqje në rrotat e pasme dhe motor të vendosur në pjesën e pasme. Automjeti do të ketë shpërndarje të masës 45:55 dhe do të ndërtohet nga alumini dhe plastika e përforcuar me fibra karboni. Pesha e tij pritet të jetë rreth 1,660 kilogramë.
V8-i është zhvilluar për të përmbushur rregulloret më të fundit të kategorisë GT3. Këto rregulla kërkojnë që motori i përdorur në garat GT3 të ketë të njëjtën arkitekturë bazë me versionin e homologuar për përdorim në rrugë.
Me uljen e kostove të prodhimit të kësaj teknologjie, motori mund të bëhet më i qasshëm në të ardhmen. Kjo mund ta shtyjë Toyotën ta përdorë atë edhe në disa modele të ardhshme të markës Toyota ose Lexus. /Telegrafi/





