Mbi 1.4 miliardë euro në tavolinë, tifozët e Liverpoolit reagojnë për marrëveshjen me Bezosi

Sport

Unioni i tifozëve të Liverpoolit, Spirit of Shankly, ka ngritur shqetësime ndaj Fenway Sports Group (FSG) lidhur me investimin e mundshëm në klub nga një konsorcium ku bën pjesë edhe pronari i Amazon, Jeff Bezos. Negociatat po vazhdojnë mes FSG-së dhe grupit të udhëhequr nga ish-drejtori i Queens Park Rangers, Amit Bhatia, për një marrëveshje […]

Madhësia e shkronjave

Unioni i tifozëve të Liverpoolit, Spirit of Shankly, ka ngritur shqetësime ndaj Fenway Sports Group (FSG) lidhur me investimin e mundshëm në klub nga një konsorcium ku bën pjesë edhe pronari i Amazon, Jeff Bezos.

Negociatat po vazhdojnë mes FSG-së dhe grupit të udhëhequr nga ish-drejtori i Queens Park Rangers, Amit Bhatia, për një marrëveshje që do t’i mundësonte konsorciumit të blejë rreth 30 për qind të aksioneve të Liverpoolit. Kjo pjesë e klubit mund të ketë një vlerë deri në 1.4 miliardë funte.

Në konsorcium pritet të jetë edhe Jeff Bezos, ndërsa investitor tjetër është Eduardo Saverin, një nga bashkëthemeluesit e Facebookut. Bezos renditet nga Forbes si personi i tretë më i pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar në rreth 207 miliardë funte, ndërsa Saverin raportohet se ka një pasuri prej rreth 24 miliardë funtesh.

Spirit of Shankly i ishte drejtuar Liverpoolit në fund të muajit korrik, kur për herë të parë u raportua për interesimin e konsorciumit, duke kërkuar më shumë qartësi rreth marrëveshjes së mundshme dhe ndikimit që ajo mund të ketë në klub.

Në letrën drejtuar drejtuesve, grupi i tifozëve kërkoi të dijë se kur FSG pret të përfundojë një shitje e mundshme dhe çfarë do të përfitojë konsorciumi në këmbim të investimit, përfshirë mundësinë e ulëseve në bord, nivelin e përfshirjes në kontrollin e klubit, si dhe eventualisht dividentët apo përfitimet e tjera financiare.

“Pas raportimeve të para për një shitje të mundshme të një pjese të aksioneve të LFC-së, Spirit of Shankly i shkroi klubit në fund të korrikut, duke kërkuar informacione të mëtejshme dhe më shumë qartësi se çfarë do të nënkuptonte një shitje e tillë”, thuhet në deklaratë.

Tifozët kërkuan gjithashtu të dinë nëse bëhet fjalë për një shitje të një pjese të klubit si pjesë e një plani më të gjerë apo për një marrëveshje të izoluar, si dhe arsyen pse FSG po shqyrton mundësinë e shitjes së një pjese të aksioneve.

“Ne gjithashtu kërkuam një takim dhe përsëritëm se, duke pasur parasysh ngjarjet që çuan në blerjen e klubit nga FSG, se kush e zotëron klubin dhe si kontrollohet ai, duke vendosur interesat e LFC-së dhe tifozëve të tij në radhë të parë, është thelbësore për të gjithë ne”.

“Raportimi i fundit për shitjen e 30 për qind të aksioneve dhe konsorciumin që po përpiqet ta blejë atë është domethënës. Pronësia dhe kujdesi ndaj klubit tonë janë parësore për SOS dhe të gjithë tifozët”, thuhet në deklaratë.

Liverpooli deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të parashtruara nga grupi i tifozëve. Megjithatë, klubi ka bërë të ditur se është i gatshëm të takohet me Supporters Board nëse negociatat me konsorciumin kalojnë në një fazë më formale./Telegrafi/