Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sot pas protestës së dhunshme gjatë dy ditëve të kaluara në Tiranë.
Rama ka vizituar Kolegjin e Evropës që u dogj mbrëmë, gjersa tha se këto rrënoja nuk janë dhe nuk mund të jenë nga duart e studentëve.
Protesta studentore në Tiranë mes tensioneve, përplasjeve dhe reagime pas akteve të dhunës
“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Evropës, shkollës të Evropës së bashkuar që e hapëm në Shqipëri së bashki me udhëheqësit evropianë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve.
Studentët janë e ardhmja, janë ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt”, tha Rama, raporton Telegrafi.
Ai tha se studentët janë gjithnjë të mirëpritur.
“Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje. Por, këto janë tjera duar, që përpiqen ta ulin poshtë Shqipërinë sa herë që Shqipëria përpiqet të shkojë lart.
Këto janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara, me zjarr dhe me hekur kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do të rikthehet kurrë, kërkojnë ta rikthejnë Shqipërinë në humnerën nga ku ne të gjithë së bashku e nxorëm dhe ku po e ngjisim drejt majës historike drejt ëndrrës të gjithë shqiptarëve ndër breza, Bashkimi Evropian”, tha ai.
Tutje, kryeministri i Shqipërisë theksoi se qëlloi që kjo zyrë e gjeneratës së re të evropianëve, të studentëve evropianë të jetë sot simboli i gjithçkaje që Tirana, Shqipëria dhe shqiptarët kudo që janë po shohin në këto orë të vështira.
“Janë orë të vështira, por orë që do t’i kalojmë së bashku, sepse Shqipëria do të vazhdojë do të vazhdojë të ngjitet, do të vazhdojë në rrugën e saj për Evropë dhe kurrë më nuk do të bjerë në ato duar që e kanë kapur për fyti…”, tha ai, raporton Telegrafi.
Rama tutje thekson se të gjithë përgjegjësit e dhunës do të përgjigjen para ligjit.
“Dhe kushdo që mendon se ligji është larg gabon. Përgjegjësia para ligjit është e secilit dhe gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë sigurisht se do ta paguajë. Do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet kurrë më pas. Shqiptarët kurrë më nuk do të jenë pengje të së shkuarës.
Dhe e kaluara që u rikthyer në verbërinë e saj këto orë në qendër të Tiranës, si një fantazmë që përpiqet të bëjë atë që ka bërë gjithnjë sa herë shqiptarët kanë dashur të ngrenë kokën, do të mbetet e kaluar.
E ardhmja është e studentëve, Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha ai. /Telegrafi/






