Donald Trump i ka sugjeruar sekretares së re për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, që ta rishqyrtojë qëndrimin në këtë detyrë, vetëm pesë ditë pas emërimit të saj.
Presidenti amerikan tha të premten se kishte biseduar me Zacharian dhe se i kishte shprehur shqetësimin për presionin me të cilin ajo po përballet në këtë pozitë.
“Unë i thashë se kur të kthehem, do të bisedojmë, sepse nuk mendoj se Katie duhet të vuajë në këtë mënyrë nga presioni i mediave. Do të bisedoj me të sapo të kthehem”, tha 80-vjeçari para gazetarëve.
Ai theksoi se dëshiron që Zacharia të ketë një jetë të mirë dhe se nuk dëshiron që ajo të vazhdojë të përballet me presionin e ditëve të fundit.
Paraqitja e parë e zëdhënëses së re të Trumpit bëhet virale
Zacharia u emërua në këtë pozitë javën e kaluar, ndërsa konferenca e saj e parë për shtyp, e mbajtur të martën, nxiti kritika. Paraqitja zgjati rreth 14 minuta dhe ajo iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nga vetëm tri media.
Kritikat u përqendruan edhe te përgatitja e saj profesionale. Ndonëse Trump e prezantoi si avokate, Zacharia pranoi në një intervistë për Fox News se nuk e kishte kaluar provimin për licencimin e avokatëve në SHBA.
Ajo ka përfunduar studimet në drejtësi në Universitetin Pepperdine në vitin 2011, por nuk e ka marrë licencën për ushtrimin e profesionit të avokates.
Trump tha se Zacharia ishte trajtuar padrejtësisht nga mediat dhe la të kuptohej se vendimi për të qëndruar apo për t’u larguar nga detyra do të diskutohet më tej. /Telegrafi/






